Si përhapet, parandalohet, cilat janë simptomat e sa rrezikohemi nga virusi HMPV – IKSHPK jep detaje
42 mins ago
06/01/2025
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me disa informacione për metapneumovirusin njerëzor, pas raportimeve se janë rritur rastet e të sëmurëve me këtë virus në Kinë.
IKSHP ka bërë të ditur se Metapneumovirusi njerëzor (hMPV) është virus i zakonshëm respirator që përhapet përmes kollitjes, teshtitjes, kontaktit të ngushtë personal e prekjes së objekteve që kanë virusin mbi to.
“Simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë. Shumica e rasteve të hMPV janë të lehta, me simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, IKSHP ka njoftuar se disa persona janë më shumë në rrezik se të tjerët.
“Patogjenët respiratorë, përfshirë gripin sezonal, RSV dhe hMPV, mund të paraqesin rreziqe për personat më të ndjeshëm, përfshirë fëmijët e vegjël, personat me imunitet të dobësuar dhe të moshuarit. Rastet e rënda mund të rezultojnë me bronkit ose pneumoni veçanërisht tek foshnjat, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar. Personat me kushte paraprake të mushkërive, si astma, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose emfizema janë në rrezik më të shtuar për pasoja më të rënda”, thuhet në njoftim.
Instituti ka thënë se janë disa mënyra të parandalimit të virusit.
“Për të parandaluar përhapjen dhe për të reduktuar rreziqet e shkaktuara nga patogjenët respiratorë, duhet të ndiqen masa të thjeshta. Këto masa përfshijnë: qëndrimin në shtëpi kur jeni të sëmurë, ndjekjen e këshillave mjekësore për kujdesin, mbajtjen e maskave në hapësira të mbushura me njerëz ose të ajrosura dobtë, mbulimin e kollës dhe teshtitjes me pecetë ose bërryl të përthyer, praktikimin e larjes së rregullt të duarve, shmangien e prekjes së syve, hundës ose gojës me duar të palara dhe marrjen e vaksinave të rekomanduara kundër gripit sezonal, sipas këshillave të mjekut dhe autoriteteve lokale të shëndetit publik”, ceket tutje.