Kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës janë të mobilizuar në parandalimin e epidemisë së koronavirusit brenda kapaciteteve që posedojnë. Komunat tashmë buxhetin e planifikuar për projekte të tjera po e shfrytëzojnë për nevojat e situatës së krijuar nga pandemia.
Krijimi i shtabeve komunale të emergjencës, dezinfektimi i hapësirave, ndalimi i tubimeve publike dhe shtimi i stafit në kufij janë disa nga masat e ndërmarra nga komunat.
Sazan Ibrahimi, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në një intervistë për “Ekonomia Online” ka treguar se si po menaxhohet pandemia nga komunat e Kosovës. “Komunat e Kosovës menjëherë pas shpalljes se pandemisë dhe pas identifikimit me rastin e parë me COVID-19 kanë organizuar të gjitha shtabet komunale të emergjencës dhe kanë filluar të bashkëveprojnë ndërmjet vete. Në këto shtabe janë përfaqësues të Policisë, përfaqësues të shëndetit publik, përfaqësues të komunave në të gjithë mekazimat që mendohet se mund të luftojnë dhe të parandalojnë COVID-19”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka treguar se në fillim instruksionet që kanë ardhur nga niveli qendror nuk kanë qenë të harmonizuara mes vete, sepse ministritë e linjës kanë dërguar mesazhe të ndryshme në departamente të ndryshme. “Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që të gjitha këto porosi të dërgohen në qendrat dhe në shtabet komunale të emergjencës. Të gjithë kryetarët janë të mobilizuar dhe të gjithë bëjnë mobilizimin e qytetarëve sa i përket parandalimit të përhapjes së virusit”, shtoi ai.
Sipas tij, komunat tashmë buxhetin e planifikuar për projekte të ndryshme e kanë bartur për nevoja që dalin nga pandemia. “Sa i përket aspektit financiar, duke e marrë parasysh që buxheti i Kosovës pas shpalljes së pandemisë ka marrë vendim për Ligjin për Buxhet dhe ka pasur pak në fillim pengesa derisa është miratuar ligji. Pas miratimit mjetet nga buxheti i Kosovës janë transferuar për 6 muaj në buxhetet e komunave, mirëpo në atë kohë Ministria e Administrimit dhe e Pushtetit Lokal ka marrë një vendim që komunave të mos i shqyrtohen aktet nënligjore ose vendimet dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi menjëherë që kjo masë të pezullohet nga niveli qendror, sepse komunat kërkonin që mjetet që i kishin të alokuara në projekte të ndryshme t’i bartnin në ato vija buxhetore ku shtabet komunale emergjente kërkonin dhe ishin të identifikuara nevojat dhe komunat kërkonin që mjetet të rialokohen për mbulimin e këtyre nevojave. Pastaj u mor drita e gjelbër nga niveli qendror dhe komunat menjëherë filluan të marrin vendime në kuvendet komunale sa i përket rialokimit të buxheteve komunale, mirëpo enkas për parandalimin e përhapjes së COVID-19”..
Ibrahimi ka thënë se në fillim ka pasur paqartësi edhe sa i përket zbatimit të urdhëresave lidhur me çështjen se cilat biznese kanë të drejtë operimi. “Gjithashtu në fillim ka pasur edhe një mosharmonizim sa u përket urdhëresave që kanë ardhur nga MEPTINIS sa i përket lejimit të punës së operatorëve të ndryshëm ekonomikë dhe aty gjithashtu Asociacioni ka reaguar në konsultim me komunat dhe me kryetarët e komunave dhe pastaj është ndryshuar edhe urdhëresa dhe është një trajtim i barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë”, theksoi Ibrahimi.