Kuvendi Komunal i Gjilanit, me sponzorizim të kryetarit Lutfi Haziri, për kontribut të veçantë i ndan çmime nderi personaliteteve të ndryshme, disa prej të cilëve, jo vetëm qytetarët e Gjilanit që nuk i njohin fare, apo si të veçantë, por as ne si këshilltarë komunal.
Në këtë kuadër, kreu i Komunës, z Haziri, pardje e solli Kuvendin para aktit të kryer. Ai, duke ikur vet nga seanca, na i servoi në Kuvend për miratim disa propozime me emra të personaliteteve nga sporti gjilanas, si dhe një tjetër nga fusha agjenturore nga Republika e Shqipërisë, për ti shpallë “Qytetarë nderi” , përkatësisht “Nderi i Qytetit”.
Dorën në zemër, nga kjo listë kishte emra që e meritonin këtë nder, sikundër që kishte nga ata që veprimtaria e të cilëve nuk ishte e nivelit meritor për këto çmime. Madje, ka një rast që njohuritë tona për te, përfundonin në një CV të shkurtër (pa biografi të plotë), ndonëse e pasur me tituj shkencor, akademik, diplomatik, etj, por jo më shumë se kaq.
Me shumë konsideratë për meritorët, gjithashtu me respekt edhe për njërin prej këtyre personaliteve që vie nga Shqipëria, i propozuar për shpallje “Qytetar Nderi”, i cili duke qenë specialist i fushës agjenturore, në periudhën 1991/’92 dhe 1997/’99, mund edhe ta ketë ndihmuar Gjilanin në këtë relacion, por ne (me ndonjë përjashtim!), nuk kemi dijeni konkrete për këtë.
Prandaj, miratimi në pako i këtyre propozimeve për shpallje “Qytetar Nderi” dhe “Nderi i Qytetit”, me 14 vota “Për”, nga 35 anëtarë sa i ka Kuvendi Komunal i Gjilanit (natyrisht që prezent në seancë nuk ishin të gjithë), nuk i bënë nder kryetarit Haziri e as vet qytetit të Gjilanit.
Me keqardhje e themi se, këtu nuk është pa përgjegjësi as Këshilli për Vlerësimin e Meritave të Personaliteteve dhe Ngjarjeve Historike, i cili me kompetencë dhe me kujdes do të duhej shoshitur mirë këto propozime, për t’ia lehtësuar pastaj punën Kuvendit.
Ne sinqerisht shprehim keqardhjen tonë për këtë abstenim të detyruar, ngase jemi të thirrur për korrektësi, përgjegjshmëri dhe zbatim të normave ligjore – procedurale, por edhe ato morale-historike, gjithsesi.
Shefik Surdulli /këshilltar komunal nga PDK Gjilan/