Si u kthye Shtëpia e mallrave në vendtakim…, emrat e njerëzve emblematik me stilin e tyre të jetës…
——————————————————————————————-
KTHIMI NË KOHË!
Në pjesën e pestë të rrëfimit të dr. Shevqetit, ai na rikthen në kohën e dikurshme, me plot episode të gjalla ngjarjesh e zhvillimesh në retrospektivë, në mënyrë tërësisht të natyrshme dhe origjinale, me fotografi e fjalë.
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Në rrëfimin e pestë ju sjellim: Kur u hap në Gjilan Shtëpia e mallrave? Si u bë ajo vendtakim i brezave, gjinive, i të rinjve e të rejave? Çka shitej aty? A kishte ashensor? Cilët ishin emrat më të dalluar të njerëzve, që me stilin e veshjes, specifikat e tyre, ishin kthyer në ikona e legjenda qyteti? Etj,etj.
/Pjesa e pestë/
KUJTIMET NGA RRUGA KRYESORE E QYTETIT (5)
Ah Gilan, ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë…!
5.
Në vitin 1976 u hap Shtëpia e Mallrave, nga ana e Ndërmarrjes Shoqërore – Tregtare “16 Nëntori”. Banorët e fshatrave dhe qytetit kishin ardhur në këtë objekt, për ta parë atë, për të blerë në të…
Disa kishin dëshirë të shëtiteshin në shkallët lëvizëse (ashensor), ndërsa gratë nga fshati frikësoheshin të ngjiteshin në katin e dytë përmes ashensorit e të zbrisnin përsëri në katin e parë. Kati i parë kishte kozmetikë, lodra, enë… Kati në bodrum ishte ushqimor, ndërsa në katin e dytë kishte gardërobë, perde, tepihë.
Shtëpia e Mallrave e kishte edhe këndin e sportit, ku punonte Skënderi nga Zhegra, ndërsa afër ishte minikafeteria. Çdo ditë ishte përplotë njerëz, meshkuj, femra, të rinj e të reja. Shtëpia e Vjetër e Mallrave në qendër mbeti nën hije.
Shtëpia e Mallrave u bë qendër blershjesh e takimesh, aty një kohë shiteshin edhe biçikleta e motoçikleta fino të reja, shumë estetike, elegante dhe praktike, me vlerë i nivel ndërkombëtar.
Shtëpia e Mallrave mblodhi përreth vetes të rinj e të reja, sidomos të shtuneve, dtën e pazarit, por edhe ditëve të tjera edhe gjatë vikendit.
Njerëzit si dikur te Hamami i Hyrës e Ura e Masketarit, filluan të caktonin vemdtakim te Shtëpia e Mallrave. Ishte vend i bukur dhe shumë tërheqës. Gjithçka e rregulluar me shije, rregull e estetikë.
Prej urës së Masketarit, gjegjësisht lumit “Dobrusha” në qendër deri te kthesa për tregun e gjelbërt ishin dy objekte: një e oficerëve, e ndërtuar me 1951 dhe ajo e Kombinatit të Tekstilit “Integj”, ku banonin Fahredin Bexheti dhe Mishko Berisavljeviq – trajneri i KF “C.Zvezda”. Në objektin e tekstilit ishte shitorja e “Jadran Perastit” me konfekcion, ku punonte Raif Llashtica, i cili ishte edhe futbollist, e kishte djal Ymerin – futbollist, dhe libraria në të cilën punonte Remzi Slishani.
Ndërkaq, në objektin e oficerëve, në katin përdhesë ishte shitorja e stofnanve, ku punonte Hamdi Rukovci, që kishte fëmijë Ekremin, Beqirin dhe Orhanin, të tre futbollistë, pastaj barnatorja popullore ku punonte Miqa Krstiqi, i cili ishte fqiu im në “Qarshi mëhallë”, pastaj kooperativë e berberëve, në të cilën punonin Reshati,Nezi i mulla Sherifëve, Abidushi, pastaj shitore stofnash dhe vetëshërbimi i famshem ku punonte Stanku, që ishte i pasur me artikuj ushqimor.
Deri në vitin 1961, para vetëshërbimit, afër urës, ishte shtëpia e bukur me kupola, e Stoshiqëve, në katin e parë kishte librarinë. Me 1961, shteti e konfiskoi këtë shtëpi, e rrënoi, ndërsa pronari Stoshiq përjetoi atak në tru dhe mbeti i paralizuar. Këtu, pastaj, u vendos kiosku i “Rilindjes”.
Kur isha fëmijë, në ditën e shtunë, kur edhe është ditë tregu në Gjilan, në këtë vend, një person nga Zhegovci e vrau personin tjetër nga Llashtica. Ne, fëmijët, qëndronim te ura e Masketarit, e cila ishte me druj dhe shikonim aty. Kjo është pjesa qendrore e qytetit, ndërsa kjo urë bartt e fsheh sshumë kujtime interesante.
Babai im, Ramushi, më tregonte se para vitit 1945, afër Stoshiqëve kishte banuar kushëriri im, Saliqava, ndërsa më lartë ‘mulla’ Ymeri i Llashtices. Gilani kishte edhe ‘njeriun popullor’, disa sish, si: Ajet Marevci, Shaba, Milivoja, Durmishi, xha Kadriu, Malushi. Këta ishin unikat, të veçantë me stilin e tyre, në veshje, në ecje, në komunikim.
Në një mënyrë a tjetër, ata ishin artistë në mënyrën e tyre të jetës dhe të sjelljes.
Këta njerëz kishin biografinë specifike të qëndisur në formën e vet. Ajet Marevci me veshje, Shaba me gomarin e vet dhe shishen me birre, Milivoja me kryq, Durmishi me ‘jazi-tura’, etj.
Për këtë qytet do të lexoni edhe shumë rrëfime tjera, që, pothuaj, janë pafund, ashtu siç është jeta dhe ritmi i saj…
———————————————————————————————–
Shtesë:
Ky rrëfim i doktorit më riktheu prapa në kohë, me ringjalli kujtime, mbresa e gjurmë të pashlyera në shpirtin e një të riu dikur…
Rrëfimi i doktorit më riktheu idilën e një kohe, të një epoke e shekulli të jashtëzakoshëm, të mrekullueshëm, ku jeta kishte domethënie.
Ajo ishte koha kur njeriu, secili, jetonte për të jetuar pafundësisht, e jo për të matur kohën, ditën, javën, muajin e vitin e vitet me peshën e monedhës (parasë)! /N.Buzuku/
———————————————————————————————–
Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/