Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se si do të organizohet puna në Qendrat Komunale të Numërimit më 31 dhjetor 2025 dhe 1 janar 2026.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi në natën e Vitit të Ri nuk do të ketë numërim të fletëvotimeve. Procesi i numërimit më 31 dhjetor do të ndërpritet në orën 12:00 dhe do të vazhdojë më 1 janar, duke filluar nga ora 16:00.
Elezi, ka sqaruar se gjatë kohës kur nuk do të ketë numërim, kutitë me fletëvotime do të ruhen në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat do të qëndrojnë të mbyllura dhe nën përkujdesjen e Policisë së Kosovës.
“Duke pasur parasysh faktin se jemi në periudhë festash, por edhe domosdoshmërinë që procesi i numërimit të mos ketë ndërprerje të gjatë, më 31 dhjetor do të punohet deri në orën 12:00, ndërkaq puna në Qendrat Komunale të Numërimit do të vazhdojë më 1 janar, në orën 16:00”, tha Elezi për Gazetën Online Reporteri.net.
Ai bëri të ditur se në Qendrat Komunale të Numërimit janë planifikuar aktivitete të rëndësishme, si verifikimi i rezultateve të subjekteve politike pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, numërimi i votave për subjektet politike bëhet në vendvotime dhe rezultatet evidentohen në formularë, të cilat më pas publikohen nga KQZ si rezultate preliminare. Ndërkaq, në Qendrat Komunale të Numërimit bëhet numërimi i votave për kandidatët për deputetë.
Para fillimit të numërimit të votave për kandidatët, në Qendrat Komunale të Numërimit bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike, bazuar në formularët e plotësuar në vendvotime.
Verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë do të zhvillohet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në prezencë të vëzhguesve dhe me transparencë të plotë.

