Pjesëtari i Listës Serbe dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq ka thënë se qytetarët serbë janë të vendosur të qëndrojnë prapa barrikadave.
Gjatë takimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq me serbët në Rashkë, ku ishte prezent edhe ai, ka thënë se serbët e veriut janë përjashtuar dhe se janë lodhur nga kjo gjendje, transmeton Gazeta Express.
“Njerëzit janë të vendosur që të rrinë prapa barrikadave, për ta mbrojtur nderin tonë. Ne dëshirojmë të krijojmë një strategji të qartë për hapat e mëtutjeshëm bashkë me juve”, është shprehur Simiq përballë Vuçiqit.
Megjithatë, presidenti Vuçiq, gjatë bisedës me serbët, ka argumentuar gjatë gjithë kohës pro-heqjes së barrikadave. Heqja e barrikadave që cenojnë lirinë e lëvizjes, është paralajmëruar të ndodh sonte ose gjatë ditës së nesërme. /GazetaExpress