Shumë herë mediat zvicerane e ato shqiptare i kanë kushtuar artikuj të ndryshëm sindikalistit tashmë të njohur shqiptar, nga Langnau i Emmentalit, Nazim Rexhepit. Nazimi me dinjitet të madh e luan rolin e ambasadorit të shqiptarëve në këtë rrethinë e më gjerë, duke mos hezituar të cekë krenarinë e tij që vjen nga një komunë siç është Malisheva e Gjilanit. Përpos pozitës së tij shumëvjeçare si sekretar sindikal i UNIA në Langnau të Emmentalit, Nazimi tashmë tre mandate po e kryen funksionin e parlamentarit komunal nga radhët e Partisë Zvicerane SP në këtë komunë.
“Jam shumë i shqetësuar se si po rrjedhin gjerat në Kosovë, nuk është më ajo koha kur me të gjitha mjetet e mundshme përpiqeshim të ndihmojmë vendlindjen. Duhet të forcohet ekonomia e vendit, të sjellim investitorë të huaj sa më shumë të jetë e mundur, pasi tashti e kemi më lehtë sepse shumë të rinj e të reja flasin shumë gjuhë të huaja dhe ate e kërkon ekonomia moderne”, rrëfen Nazimi enkas për Shtegu.com.
Duket se gjendja e tillë e ka lodhur Nazimin, prandaj nuk e sheh të arsyeshme që ndokush nga mërgimtarët të involvohet në politikën vendore të Kosovës por të tregojnË interes në politikën e Zvicres. Ai më me pasion flet për problemet e mërgimtarëve në Zvicër, aty ku shqiptarët e kanë krijuar vendbanimin e ri të tyre dhe ku po ballafaqohen me probleme të një natyre krejt tjetër nga ajo në vendlindje. “Më brengos fakti se shumica e bashkatdhetarëve tanë janë shumë pak të informuar për rolin dhe përfitimin që ua sjell Sindikata UNIA. Një anëtarësim në sindikatë nuk është i shtrenjtë kur merret parasysh se bashkatdhetarët po paguajnë avokatë e këshilltarë të ndryshëm, në lidhje me lloj-lloj probleme. Do t`i kisha lutur të gjithë ata që kanë probleme me sigurimet e tyre sociale e shoqërore ta kontaktojnë ndonjë seksion të Sindikatës UNIA, pasi që në këtë institucion ka hapësirë profesionale për t`u zgjidhur brengat e tyre. Bashkatdhetarët nuk janë të informuar aq sa duhet se çfarë humbin nga enti i papunësisë, çka mund të përfitojnë nga ai, sa kohë kanë të drejtë të përfitojnë, procedura pas ndërprerjes së kompensimit nga enti i papunësisë, përgatitja për t`u pensionuar, qoftë edhe më herët etj. etj. Për këto të gjitha, ju mirëpresin nëpunës profesionistë në secilin skesion të sindikatës”, ka pohuar Nazimi, i cili nuk harron pa përmendur edhe dëshirën e tij të flaktë për të kontribuar në mërgatën shqiptare në Zvicër: “Në një odë ku mbahet kuvend, dua të jem i pranishëm”.