Sindikata e Punëtorëve e RTK-së, përmes një njoftimi për media ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, konkretisht nga Komisioni për media që në afat sa me të shkurtër kohorë ta kompletoj me anëtarët e rinj Bordin e RTK-së duke ndjekur procedurat sipas ligjit.
Sindikata kërkon që këtë proces ta monitorojnë organizata kredibile vendore e ndërkombëtare.
“Sindikata i bënë me dije Kuvendit të Kosovës që ta rris buxhetin për RTK-në sepse me buxhetin aktual është e pamundur që RTK të transformohet e të zhvillohet. Janë kaluar të gjitha limitet e pritjes sa i përket pronës, ligjit dhe ndërtimit të objektit dinjitoz që duhet ta ketë mediumi i vetëm publik”, thuhet në njoftim.
Sindikata ka shtuar se objektet ku aktualisht punojnë kolegët tanë nuk i plotësojnë as kushtet minimale për funksionim.
“Sindikata kërkon që të ndalen sulmet ndaj televizionit publik dhe kërkon nga partitë politike dhe individët e caktuar t’i mbajnë duart larg nga transmetuesi publik. Një transmetues publik i fuqishëm dhe i pavarur është në interes të publikut të gjerë në Kosovë dhe për këtë duhet të angazhohemi të gjithë.
Situata aktuale në RTK pa kompletimin e Bordit thuajse është jofunksionale sepse jemi në kohën kur duhet të merren shumë vendime me rëndësi për të ardhmen e televizionit publik”, thuhet në njoftim.
Më tej, Sindikata edhe njëherë ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta shqyrtoj mundësinë dhe ta vendos RTK- në, në ndërtesën ku aktualisht gjendet Radio Kosova dhe për këtë proces të vendos me ligj që ky objekt ti takoj RTK-së.
“Çdo vonesë ndaj kërkesave tona do ta dëmtojë rëndë të ardhmen e mediumit të vetëm publik në Kosovë”, thuhet në fund të njoftimit.