Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës nëpërmjet një letre të hapur drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u ka kërkuar seriozitet dhe përgjegjësi në miratimin e buxhetit të RTK-së që pritet të shqyrtohet nesër në seancë plenare.
Në letrën e saj, sindikata paralajmëron se mbi 700 punëtorë të RTK-së nuk e kanë marrë pagën e muajit tetor, situatë që po rrezikon mirëqenien e tyre dhe funksionimin normal të transmetuesit publik.
“Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni themelor i RTK-së dhe pavarësia editoriale, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen”, thuhet në letër.
Sindikata thekson se RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi i Kosovës për t’i shërbyer publikut me informim të drejtë, profesional dhe të balancuar, dhe apelon që çështja e buxhetit të trajtohet pavarësisht bindjeve dhe ndarjeve partiake, si një përgjegjësi e përbashkët institucionale.
Në përfundim, sindikata u bën thirrje deputetëve që të veprojnë me maturi dhe seriozitet, në mënyrë që punëtorët e RTK-së të marrin pagat dhe të sigurohet buxheti për funksionimin normal të mediumit publik.
“RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi për t’i shërbyer publikut, për të siguruar informim profesional dhe të balancuar. Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni i tij themelor dhe pavarësia editoriale”, thuhet në letër.









