Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës (SSHCK), përmes një komunikate për media, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin e shkarkimit të 5 anëtarëve të KPMSHCK-së, duke e vlerësuar atë kundërkushtetues.
‘Në këtë formë është mbrojtur, në mënyrën më të mirë, interesi i Shtetit të Kosovës dhe shërbyesve civilë në veçanti ngase, nuk do të duhej në asnjë formë Kuvendi i Kosovës të merret me këtë institucion të pavarur e që ne edhe më herët kemi thënë se është një lloj Gjykate e Shërbimit Civil dhe këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese duke e emërtuar si një lloj ’”tribunali” që nënkupton se kuvendi dhe politika duhet të mbajnë larg duart nga institucionet e pavarura kushtetuese’ ka thënë Mursel Zymberi, kryetar i kësaj Sindikate.
Kjo praktikë e sulmeve dhe etiketimeve pa asnjë justifikim ligjor mbi këto institucione, sipas tij, është një pasqyrë jo e mirë edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe dëmton në masë të madhe imazhin e Shtetit të Kosovës, sepse në këtë formë krijon një precedent të rrezikshëm që çdo qeveri dhe pushtet të merret me këto institucione në vazhdimësi, varësisht se cila parti është në pushtet.
‘Tendenca për të sulmuar këto institucione të pavarura është në kundërshtim me çdo normë dhe rregull dhe se Kuvendi i Kosovës dhe komisionet parlamentare nuk duhet të luajë rolin e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës sepse përgjegjësit janë të ndara në këtë aspekt, andaj edhe nuk duhet të ndërhyhet në kompetenca të institucioneve tjera’ ka shtuar Zymberi.
Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës kërkon nga kreu i Kuvendit të Kosovës dhe kryesia, që të merr masa ndaj atyre që kanë qenë promotor të këtyre proceseve me ç ‘rast i është shkaktuar dëm i pariparueshëm institucionit më të lartë të vendit tonë Kuvendit të Kosovës, sepse çfarë mund të pritet nga institucionet tjera kur Kuvendi shkel Kushtetutën e Kosovës si dokumenti më i rëndësishëm i vendit.
Sindikata kërkon të mos kalohet pa llogaridhënie nga ata që kanë shkelë kushtetutën e vendit tonë.