Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), paralajmëroi mbajtjen edhe të një greve njëorëshe.
BSPK-ja deklaron se të enjten më 12 maj 2022, në orën e parë të punës nën organizimin e tyre, mbahet në nivel vendi, greva paralajmëruese një orëshe e të gjithë të të punësuarve në të gjitha Institucionet e shtetit.
“BSPK-ja edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për dialogun e duhur midis partnerëve socialë dhe pa dëshirë po edhe në pamundësi të mos hyhet në grevë, vendosi përfundimisht që kjo grevë të mbahet”, deklaron BSPK-ja.
“Por nëse nuk veprohet dhe ofrohet dialogu i duhur social nga partneri social – Qeveria, atëherë më 20 maj 2022 do të mbahet protestë gjithëpërfshirëse e cila i paraprinë grevës së plotë në nivel vendi, deklaroi Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së, raporton RTKlive.com.
Ndërkohë, grevës së thirrur nga BSPK-ja, do t’i bashkohet dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit e Shkencës së Kosovës (SBASHK).
Nën organizimin e SBASHK-ut çerdhet do të jenë në grevë nga ora 06:30-7:30, ndërsa shkollat fillore varësisht nga ndërrimet, ora e parë do të jetë grevë, kurse universitetet nga ora 10:00-11:00.
Orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen dhe nëse Qeveria e Kosovës nuk reagon atëherë nga SBASHK-u thonë se i qëndrojnë skenarit për të hyrë në grevë të përgjithshme.
Ndër kërkesa të tyre, mësimdhënësit por edhe punëtorët e sektorit publik, kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave.
Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka deklaruar se greva e nesërme është paralajmëruese, ndërsa ka shtuar që më 20 maj do të ketë një protestë të të gjithë punëtorëve të sektorit publik.
“Duke e parë që nuk ka pas asnjë lëvizje konkrete, asnjë takim konkret, asnjë veprim i duhur i Qeverisë, këshilli drejtues i SBASHK-ut, aprovoi vendimin edhe një herë të Kongresit dhe vendosi që më 12 maj të jetë një grevë paralajmëruese njëorëshe në tërë sistemin arsimor”, deklaroi Jasharaj.
Sipas tij, në këtë grevë njëorëshe ka informacione se do të jenë edhe sektorët e tjerë dhe sindikatat që janë pjesë e BSPK-së.
Ndër kërkesa të tyre, mësimdhënësit por edhe punëtorët e sektorit publik, kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave.
Ditë më parëm, në Prishtinë, BSPK-ja organizoi gjithashtu një protestë me kërkesa të njëjta./rtklive/