Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur mëngjesin e 14 marsit 2025 në aksin rrugor Domoroc – Hodonoc të komunës së Ranillugut. Fillimisht, policia raportoi për një vetaksident, por pas hetimeve është ngritur dyshimi se aksidenti është shkaktuar nga një kamion në lëvizje.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, është ngritur dyshimi se nuk bëhet fjalë për vet aksident, por me aksident trafiku.
Hetimet kanë zbuluar se drejtuesi i kamionit, një mashkull 54-vjeçar, dyshohet se ka shkaktuar aksidentin duke bërë një kthim të pasigurt, duke penguar lëvizjen e automjetit në tejkalim. Për të shmangur përplasjen, shoferja e Golfit ka humbur kontrollin dhe makina është rrokullisur jashtë rrugës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, drejtuesi i kamionit është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.