Riformatimi i sistemit arsimor
Organizimi dhe funksionalizimi i sistemit arsimor, sot lë për të dëshiruar, për faktin se ka shumë indikatorë që dëshmojnë se arsimi në Kosovë ka çalime të mëdha. Arsimi parauniversitar që nga ky vit ka filluar në të gjitha shkollat me kurrikulën e re, e cila pa mëdyshje se është një sfidë për të gjithë ne. Kurrikula është e bazuar në kompetenca dhe s’do mend se do kohë për t’u përvetësuar. Mirëpo, reformimi i sistemit ndodh kur bëhen ndryshime të thella konceptuale për të realizuar qëllime të qarta arsimore, rezultatet e të cilave duhet të jenë objektivisht të matshme.
Shkruan: Fehmi SYLEJMANI
Ana profesionale – organizimi
Sot arsimi në përgjithësi përballet me shumë telashe dhe vështirësi të natyrave të ndryshme, të cilat do t’i listojmë më poshtë:
•Kualiteti i mësimdhënies në shkollat tona është ndër më të ulëtit në Evropë – e kanë pohuar agjencitë të ndryshme të autorizuara dhe së fundi PISA;
•Arsimimi te ne është organizuar në bazë të kuadrit që ekziston dhe jo në bazë të asaj çfarë kuadri duhet të përgatisin (arsimojmë). Këtu është gabuar në hapa si në basketboll. Së pari krijohen kuadro e më pastaj reformohet arsimi;
•Problem paraqet dituria e cekët me të cilën nxënësit e mbarojnë shkollimin. Këtë e dëshmojnë testimet e ndryshme të institucioneve profesionale, ku mësohet përmendësh vetëm për notë, pa shumë logjikë. Ky problem bartet në shkollë të mesme dhe fakultet… (shkaku: kuadri jo mjaftë i kualifikuar mësimor). Testi i arritshmërisë kl. 9 dhe ai i maturës;
•Për shkollë (mësimdhënie) duhet shkolluar (përgatitur) mësimdhënës të lëndëve përkatëse, sh. mësimdhënës të biologjisë, kimisë, gjuhëve, e jo biologë, kimistë, filologë të diplomuar;
•Janë të diskutueshme edhe njohuritë e përgjithshme me të cilat nxënësit dalin nga shkolla e mesme;
•Sistemi i vlerësimit me perioda. Me këtë rast, hapen shumë dilema nëse periodat mësimore janë lehtësim për mësim, ose nxitim për vlerësim e notim; apo mësim përmendësh dhe jologjik, ose vetëm formalitet dhe procedurë që duhet t’i përmbahemi?! Kështu që, nxënësi në vend se të mësojë vërtet për dije, e cila i duhet për jetë, ai gjithë preokupimin e ka te nota! Prandaj, një pjesë e nxënësve të mirë po dështojnë në perioda, pikërisht nga këto defekte që bartë në vete kjo mënyrë lëmshore e vlerësimit periodik! Kjo mënyrë e vlerësimit nuk ka sjellur risi sa i përket ngritjes së cilësisë, ndërsa ka prodhuar te nxënësit stres, lodhje, irritim deri te situatat traumatike dhe lëndim psikologjik! Në fund, ky vlerësim periodik, shikuar në aspektin empirik, nuk ka dhënë rezultate në fushën e cilësisë, dhe si i tillë duhet rishikuar, ndryshuar dhe përshtatur me kërkesat e jetës, me inovacionet në domenin e teknologjisë informative dhe aftësimit për jetë në përputhje me ecuritë bashkëkohore;
•Tekstet shkollore jo adekuate. Libri mbetet mjeti i vetëm i konkretizimit, ndërsa shumica e teksteve lëndore kanë aq shumë materie sa do të ishin të tepërta për nxënës!;
•Cenimi i autonomisë së shkollave, këtu shkollat mund të zgjerohen me pedagogë, psikologë, mjeku dhe stomatologu i shkollës;
Mungesa e një shërbimi këshillues pedagogjik në shërbim të shkollave, ofrojnë arsim sa më cilësor;
•Cilësia e mësimdhënësve ?!…;
Kthimi i respektit për profesionin;
Trajnimet para dhe gjatë shërbimit të punës së mësimdhënësit;
•Transferet e mësimdhënësve të kushtëzohen me ngritjen e përformancës së tyre;
Vlerësimi i përformancës së mësimdhënësve nuk mund të bëhet me vetëm një orë hosptimi;
Mos funksionimi i aktiveve profesionale;
Mësimi ne disa shkolla me tri ndërrime;
Vlerësimi jo i drejtë në Universitet, saqë po humbet cilësia e universiteteve shtetërore,e mos të flasim për ato private;
•Mos mbajtja e orëve të kujdestarisë.Të futet ora e kujdestarisë në normën e përgjithshme prej 20 orëve në javë, në mënyrë që çdo mësimdhënës me këtë rast e liron nga një orë. Dmth. 19 orë të lëndës profesionale dhe një orë kujdestarie, që bëjnë gjithsej 20 orë;
Një pjesë e mësimdhënësve jo në elementin e duhur – përmes një akti normativ nga Ministria e Arsimit të pensionohen me vetëdëshirë mësimdhënësit me 60 vjet moshë, të cilët do të marrin pagën 70 për qind të pagës aktuale);
Nuk stimulohen nxënësit e dalluar në shkollat përkatëse;
•Mungon roli i familjes;
Mungesa e një këshilli të prindërve-roli dhe ndikimi i tyre, jo vetëm formalitet por efektiv.
/Autori është mësimdhënës i matematikës në Gjilan dhe njohës i problematikës arsimore/