Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, lidhur me situatën e rënduar financiare të tyre, kanë njoftuar se sot në shenjë revolte, do të mbajnë grevë njëorëshe në oborrin e RTK-së.
Siç kanë paralajmëruar të njëjtit, greva nis me fillim nga ora 11:00, transmeton Klankosova.tv.
Kjo sindikatë, lidhur me situatën që ata gjenden aktualisht, i ka dërguar letra zyrtarëve të lartë evropianë.
Letrat kanë shkuar në adresë të kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe raportueses për Kosovën në PE, Viola von Cramon.
“Në këto komunikime, ne i kemi informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Sipas tyre, në letrat e komunikuara është theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve.
“Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre” , shkruan Sindikata.









