Me gjithë situatën e vështirë të krijuar nga COVID-19, diaspora shqiptare në Evropë dhe anëkënd botë vazhdon të jetë krah i fortë për ekonominë tonë.
Sipas të dhënave që Klan Kosova i ka siguruar nga Banka Qendrore e Kosovës, në periudhën Janar-Tetor janë dërguar 90 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Zëdhënës i BQK-së Kushtrim Ahmeti, tha se janë dërguar afro 800 milionë euro.
“Gjatë periudhës janar-tetor 2020, vlera e dërgesave nga mërgimtarët arriti në shifrën prej 795.6 milionë euro apo 90 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2019, ku totali i remitencave ishte në vlerën prej 705.6 milionë euro. Nga kjo shumë 115.3 milionë janë të dërguara përmes bankave komerciale, 556.9 milionë nëpërmjet agjencive për transferim të mjeteve, ndërsa 124.2 milionë erdhën përmes kanaleve joformale siç është bartje e parave në xhepa”.
Ahmeti tha se vetëm gjatë muajit maj janë dërguar rreth 104 milionë euro.
Sipas tij vitin e kaluar në muajin e njëjtë ishin dërguar 79 milionë euro.
Ai theksoi se vendet që prin për dërgesa janë shtetet gjermano-folëse.
“Vlera më e madhe e remitencave të dërguara gjatë këtij viti ishte muaji maj ku u dërguan 104 milionë euro, përderisa në majin e njëjtë të vitit paraprak, u dërguan 78.4 milionë euro. Shtetet prej nga më së shumti janë dërguar remitencat prijnë shtetet gjermano folëse si Gjermani, Zvicër, Austri, të përcjella nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca”.
Të dhënat e plota i gjeni në vegëzën poshtë:
https://bqk-kos.org/repository/docs/time_series/31%20Remittances-by%20channel.xls