Rexhep Kasumaj, drejtor klinik në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë për “Zërin” se që nga një qershori pesë pacientëve u janë anuluar operimet për shkak të mungesës së furnizimit me barna.
Sipas tij, edhe gjatë muajve të tjerë të këtij viti ka pasur anulime të operimeve.
“Po, ka pasur raste kur janë anuluar operimet për shkak të mungesës së barnave. Këtë 10-ditëshin e fundit pacientët kanë rënë prej programit për këtë arsye. Pesë pacientë kanë rënë nga programi. Ata i kemi operuar pastaj, megjithatë një herë ata kanë rënë nga programi”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se shkak për anulimin e operimeve të tjera gjatë këtij viti ka qenë edhe mungesa e disa anestetikëve.
“Ka ndodhur që edhe më herë kanë rënë prej programit për shkak të anestetikëve, por ne nuk kemi mbajtur evidencë se sa persona kanë rënë nga programi, por ka ndodhur që brenda këtij viti diku kanë qenë edhe dy-tri raste të tjera. Më herët ka qenë për shkak të tjetër lloji të anestetikëve”, ka theksuar ai.
Sipas tij, pacientët të cilëve u anulohen operimet thirren atëherë kur bëhet furnizimi me barna.