Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite ishte Projektligji për Rimëkëmbjen ekonomike, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit.
Asnjë nga deputetët nuk ishin të pranishëm në sallë, prandaj edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për 11 nëntor në ora 11:00, shkruan Reporteri.net.
Raporti me amandamente i këtij projektligji kaloi edhe në Komisionin parlamentar për Legjislacionin paraditen e sotme. Për votuan pesë anëtarë të komisionit kurse një abstenoi.
Ndryshe projektligji për rimëkëmbje ekonomike kishte kaluar në lexim të parë më 12 tetor, teksa pro saj kishin votuar 64 deputetë.
“Siç mund të evidentohet për të zhvilluar punimet kjo seancë nuk ka kuorum. Poshtu ashtu shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në cilësinë e propozuesit ka kërkuar që kjo seancë, duke marrë parasysh situatën e fundit të krijuar në vend, ka kërkuar në emër të deputetëve nënshkrues për kërkesë të jashtëzakonshme që kjo seancë të shtyhet për 11 nëntor 2020, ditë e mërkurë, në ora 11:00”, ka thënë Kujtim Shala, nënkryetar i Kuvendit.