‘Asnjë synim politik nuk është i vlefshëm për të sakrifikuar paqen në Bosnje e Hercegovinë’, këto janë fjalët e liderit të serbëve, Milorad Dodik, i cili disa ditë më parë kërcënoi marrëveshjen e Dejtonit me idetë e tij separatiste duke nxitur shqetësime serioze për një konflikt të armatosur.
Zbutja e anëtarit të presidencës tre-palëshe ndëretnike erdhi pas vizitës së të emëruarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe pas takimit me presidentin turk, Rexhep Tayyip Erdogan.
“Ata kanë pikë pamjet e tyre, por dëshirojnë që paqja të ruhet këtu. Unë u thashë se nuk sakrifikoj paqen për asgjë. Paqja është rruga e vetme për Republikën Srpska dhe ajo është politika e saj, jo lufta apo konfliktet”, u shpreh Milorad Dodik, anëtar i presidencës së Bosnjes.
Komentet e Dodik erdhën teksa Bosnja përjeton krizën më të rëndë politike që prej përfundimit të luftës së fundit.
Frika për një konflikt të ri lindi pasi serbët e Bosnjes në fund të korrikut bllokuan punën e qeverisë qendrore, ndërsa Dodik paralajmëroi tërheqje të mundshme nga institucionet, përfshirë ushtrinë, gjyqësorin dhe administratën e taksave.
Lideri i serbëve thotë se tre institucionet, që janë shtyllat kryesore të shtetit, të themeluar në bazë të vendimeve nga përfaqësuesit ndërkombëtarë të paqes, nuk janë të përfshira në kushtetutë dhe janë provuar sitë padobishëm. Megjithatë kushtetuta e Bosnjes është pjesë e marrëveshjes së paqes. Për të kapërcyer krizën, Dodik kërkon anulimin e rreth 140 ligjeve deri në fund të nëntorit.