Pas ratifikimit të Demarkacionit më 21 mars të këtij viti liderët kosovarë nisën t’i uronin qytetarët e Republikës së Kosovës për liberalizimin e vizave. Kjo pasi me miratimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi liberalizimi i vizave shihej si “punë e kryer”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Por, ky proces nuk pritet të finalizohet as gjatë këtij viti. Komisioni Evropian (KE) nuk ka publikuar ende rekomandimin për përmbushjen e kriterit të fundit lidhur me vizat, ndonëse një gjë e tillë ishte paraparë të ndodhte në fund të muajit të shkuar.
Madje Komisioni për Liri Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian tashmë ka hequr nga rendi i ditës këtë pikë, ku parashihej të votohej rekomandimi i dalë nga KE-ja. Kjo pasi që KE-ja ka shtyrë publikimin e rekomandimit për liberalizim për Kosovën.
Një vendim i tillë sipas ekspertëve të procesit të integrimit shuan shpresat që liberalizimi të ndodhë këtë vit.
Por, ndryshe ka vlerësuar ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila është shprehur e bindur se një gjë e tillë nuk do ta dëmtojë procesin e liberalizimit.
Ndërkaq përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se është e pamundur që liberalizimi të finalizohet këtë vit edhe po që se rekomandimi i KE-së do të publikohet gjatë këtij muaji.
Hoxha: Liberalizimi do të ndodhë shumë shpejt
Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë se institucionet e Kosovës nuk mund të ndikojnë në agjendën e komitetit LIBE. Pavarësisht se rekomandimi është hequr nga rendi i ditës në LIBE Hoxha është shprehur optimiste se rekomandimi i Komisionit Evropian do të publikohet para pushimeve verore.
“Ne nuk kemi mundësi që të ndikojmë në agjendë ose në rend dite. Për neve thelbësor është vlerësimi që do të vijë në pajtim me punën tonë që e kemi bërë, realizimin e 95 kushteve një për një. Së pari presim që Komisioni të dalë me rekomandim, siç kanë thënë para pushimeve të verës dhe pastaj vazhdojnë hapat e tjerë të procesit të vendimmarrjes në institucionet e tjera të BE-së”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Pavarësisht se institucionet kosovare nuk mund të kenë ndikim në agjendën e LIBE-s, Hoxha ka thënë se ka takuar të gjithë anëtarët e këtij komisioni (ndaras) e të cilët, siç ajo është shprehur, kanë konfirmuar se do ta votojnë rekomandimin pozitiv.
Por ani pse rekomandimi tashmë është shtyrë, e para e MIE-së është shprehur e vendosur se procesi i liberalizmit nuk do të dëmtohet.
“Nuk pres që të dëmtohet procesi. Ne jemi me kohë dhe tashmë keni dëgjuar edhe komisionarin Hahn, i cili ka thënë që liberalizimi do të ndodhë shumë shpejt. Shpresoj që shumë shpejt do të ndodhë liberalizimi, për këtë jemi të sigurt, vendimmarrja është në duar të BE-së dhe ne duhet t’u bashkohemi vlerave integruese evropiane”, ka potencuar ajo.
Pacolli: Edhe nëse publikohet rekomandimi s’ka viza këtë vit
Ndërkaq anëtarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Fitore Pacolli-Dalipi, ka thënë se BE-ja nuk ka dhënë asnjëherë data për liberalizimin e vizave.
Premtimet që liberalizimi do të ndodhë këtë vit, sipas saj, janë vetëm premtime të Qeverisë së Kosovës e jo të BE-së.
“BE-ja ka deklaruar se pa u përmbushur kushtet, sidomos luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, nuk do të ketë liberalizimi. Vetëvendosja në muajin mars pati prezantuar një raport të brendshëm nga ekspertët evropianë të angazhuar nga KE-ja, ku thuhet se Kosova nuk ka bërë hapa pozitivë në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Ky raport, sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, ishte sinjal se nuk do të ketë rekomandim nga KE-ja këtë vit.
Madje, siç ka deklaruar ajo, tashmë shtetet si Franca, Belgjika dhe Holanda nuk janë as të bindura se është plotësuar kushti për luftimin e korrupsionit.
Madje edhe po që se KE-ja publikon rekomandimin, Pacolli-Dalipi ka vlerësuar se procesi i liberalizimit nuk mund të finalizohet përgjatë këtij viti.
“Edhe nëse publikohet rekomandimi nga KE-ja gjatë këtij muaji nuk ka mundësi që procedurat e shumta të përfundojnë deri në fund të vitit”, ka theksuar ajo.
Ujkani: Shtyrja e rekomandimit vështirëson vendimmarrjen për vizat
Në anën tjetër, teksa ka folur rreth shtyrjes së publikimit të rekomandimit nga KE-ja profesori i së drejtës evropiane, Emrush Ujkani, ka vlerësuar se një gjë e tillë ka ndodhur për dy arsye.
“Kjo ka ndodhur për dy arsye: e para, dikush mund të thotë që Kosova nuk i ka plotësuar kriteret sa duhet. Por, në rastin konkret besoj që është një problem krejtësisht më i fuqishëm, që është problemi i njohur – Spanja. Duke e ditur që Spanja mund të jetë problem Komisioni nuk guxon ta marrë një hap të tillë pa pasur konsensus brenda shteteve anëtare të BE-së”, ka deklaruar ai.
Spanja jo vetëm që nuk e njeh Kosovën si shtet, por sipas Ujkanit ajo nuk i njeh as dokumentet e udhëtimit, pasaportat e Kosovës. Pikërisht ky është problemi kryesor, ka vlerësuar profesori i së drejtës evropiane.
“Sepse sikur t’i kishte njohur së paku pasaportat do të ishte një situatë pak më ndryshe. Ne e kemi edhe Greqinë, që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, por realisht i njeh dokumentet e udhëtimit. Me dokumente mund të udhëtohet në Rumani, në Sllovaki e në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka shtuar ai.
Andaj, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të punojnë bashkë me anëtaret e tjera të BE-së që me Spanjën ta arrijnë një marrëveshje për njohjen e dokumenteve, së paku.
Ujkani më tutje ka konsideruar se tashmë askush s’mund ta dijë më një datë të saktë se kur KE-ja do ta bëjë publik rekomandimin për vizat.
Shtyrja e një procesi të tillë për kah vjeshta, sipas tij, thuajse e bën të pamundur që Këshilli të marrë vendim këtë vit për liberalizimin.
Madje, siç ai është shprehur, pas shtyrjes së këtij rekomandimi Kosova do të jetë e rrezikuar që edhe gjatë 2019-ës të përfundojë me fatin e njëjtë, pa viza.
“Shtyrja e këtij procesi e bën më të vështirë vendimmarrjen këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë edhe më e vështirë, sepse kemi zgjedhjet brenda PE-së, prandaj mendoj që do të stërzgjatet për një kohë, vërtet është e paparashikuar”, ka nënvizuar ai.
Ndërkohë, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se Komisioni Evropian është vonuar me raportin vlerësues lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave për Kosovën, pasi sipas tij ky raport ka qenë i paraparë të publikohet në fund të muajit qershor.
Andaj, sipas tij, Kosova tashmë gjendet në një situatë që edhe nëse merr një raport pozitiv nga Komisioni Evropian nuk është e sigurt se vizat do t’i hiqen këtë vit për shkak të procedurave vendimmarrëse në BE.