Gazetari Imer Mushkolaj i ka kërkuar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, që të distancohet nga gjuha skandaloze e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit.
Muhaxheri, një funksionar i lartë i LDK-së, të martën e krahasoi qasjen në veri të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti me qasjen e dikurshme të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Mushkolaj, tha se e ka ngritur këtë çështje në diskutim brenda takimit të organizuar sot nga Lumir Abidxhiku me opinionistë e gazetarë.
Postimi i plotë i Imer Mushkolajt:
Iu kam përgjigjur pozitivisht ftesës së LDK’së për bashkëbisedim me gazetarë e opinionistë. Njësoj kam vepruar edhe kur më ka ftuar VV, sa ka qenë në opozitë. Do t’iu përgjigjem edhe ftesave të tjera të ngjashme – edhe nga qeveria.
Nuk shoh asgjë të keqe që të dëgjohen e shkëmbehen ide. As të përplasen mendime.
Nuk e bojkotova takimin edhe pse i pranishëm ishte edhe Gazmend Muhaxheri, i cili një natë më parë bëri krahasimin skandaloz të qasjes së Albin Kurtit në veri me Slobodan Milosheviqin.
Nga Lumir Abdixhiku kërkova që ai dhe LDK të distancohen nga kjo gjuhë e rrezikshme e Muhaxherit. Nëse kjo qasje është mendësia e “alternativës” së LDK’së, atëherë s’kam koment.