Një skandal i rëndë ka tronditur sot Drejtorinë e Arsimit në Gjilan. Në një zhvillim të paprecedentë, DKA ka shpallur dy konkurse për mësimdhënës, duke ofruar njërit 265 orë mësimore (për Gjuhën Gjermane në një shkollë që nuk ka as 265 nxënës) dhe tjetrit 288 orë për Teknologji Informative dhe Komunikimi (TIK) për një muaj, ngarkesa këto që janë të pakuptueshme dhe të papranueshme sipas standardeve arsimore.
Konkursi i shpallur sot ka nxjerrë në pah një shpërndarje të pabarabartë dhe absurde të numrit të orëve mësimore, duke ngritur dyshime serioze mbi qëllimet dhe mënyrën e llogaritjes së orëve nga kjo drejtori. Kjo situatë është një tregues i qartë i tendencës për rehati politike dhe favorizim të militantëve, ndërsa llogaritjet e orëve mësimore janë bërë me gabime të dukshme.
Është e pakuptueshme se si në një shkollë të vetme, një mësimdhënës mund të ketë 265 orë, ndërsa një tjetër 288 orë, për një muaj. Kjo ngre pyetje të mëdha mbi transparencën dhe drejtësinë e këtij procesi. Drejtoria e Arsimit në Gjilan duket se ka humbur rrugën që nga ardhja e drejtoreshës së re, duke shënuar një përkeqësim të dukshëm në menaxhimin e burimeve dhe proceseve arsimore.
Pas shpalljes së këtij konkursi, është urgjente që DKA në Gjilan të japë shpjegime të hollësishme mbi bazën e këtyre llogaritjeve të orëve mësimore. Kjo situatë sugjeron manipulime të mundshme dhe përpjekje për të mbuluar dështimet qeverisëse, ndërsa prioritet mbetet rehatimi i personave që u është premtuar punësimi. Manipulimet dhe favorizimet e tilla nuk duhet të tolerohen, dhe është e nevojshme një hetim i plotë për të zbardhur të vërtetën dhe për të vendosur drejtësinë në vend./Radio Star/