Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së në Gjilan, Ardian Azemi, ka reaguar pas publikimit të një skandali që ka ndodhur në Komunën e Gjilanit, përkatësisht në Drejtorinë Komunale të Arsimit.
Azemi ka thënë se DKA e ka shpërndarë një shkresë nëpër shkolla, shkresë kjo e cila është dërguar në emër të askujt.
“Sot, kur Vetëvendosje është në pushtet, nuk kalon një ditë e vetme pa ndodh një skandal, shkelje ligjore, ndërhyrje nga ana e kryetarit aty ku nuk i takon atij, e të tilla veprime që po prodhojnë skandale të njëpasnjëshme. Së fundmi kemi edhe një shkresë e cila nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan i është dërguar shkollave për ndarjen e orëve të mësimit”, ka shkruar ndër të tjera Azemi.
Reagimi i plotë:
Sa ka qenë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka lënë një ditë të vetme pa i akuzu pushtetet e kaluara për çdo hap që ata kanë ndërmarrë, pavarësisht se çka.
Sot, kur Vetëvendosje është në pushtet, nuk kalon një ditë e vetme pa ndodh një skandal, shkelje ligjore, ndërhyrje nga ana e kryetarit aty ku nuk i takon atij, e të tilla veprime që po prodhojnë skandale të njëpasnjëshme.
Së fundmi kemi edhe një shkresë e cila nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan i është dërguar shkollave për ndarjen e orëve të mësimit.
Për më keq, dokumenti që i është dërguar shkollave, nuk përmban as emrin e drejtoreshës së Arsimit, as të ndonjë zyrtari tjetër të DKA-së. Ky dokument duket se ka ‘zbritur’ nga qielli!
Për ta sqaruar edhe më mirë këtë çështje, DKA e pati dërguar një propozim-rregullore për aprovim në Kuvendin Komunal, por organi më i lartë komunal nuk e kishte aprovuar, që nënkupton se ekziston një dokument i vjetër në fuqi me të cilin DKA-ja është e obliguar të punoj.
Fuqia e votës nuk ia mundëson asnjë subjekti politik të veprojë si me pronë private me institucionet publike. Andaj, kjo shkresë e dërguar nëpër shkolla, duhet të tërhiqet dhe kryetari i Komunës, drejtoresha dhe kushdo qoftë tjetër, t’i ndalin këto veprime që po e dëmtojnë përditshëm qytetarët e Gjilanit dhe institucionet arsimore, shëndetësore, kulturore, sportive e çka jo tjetër.
Ndaluni sa nuk është bërë shumë vonë!