Sot ka filluar pilotimi i skemës së reformuar të asistencës sociale në Kosovë.
Në tetor 2023, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) prezantoi projektin për reformën e asistencës sociale. Që nga sot familjet e cenueshme do të kenë mundësinë të aplikojnë për t’u përfshirë në skemën e re të asistencës sociale.
Në ngjarjen që shënoi fillimin e këtij procesi, Kryeministri Kurti theksoi se skema e re e heq diskriminimin që ekziston me skemën aktuale, duke mos përjashtuar nga skema familjet që nuk kanë më fëmijë nën 5 vjeç, dhe e inkurajon punësimin në anën tjetër përmes mekanizmave nxitës dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Punës. Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se mësimet që do të nxirren nga ky pilotim do të reflektohen edhe në Projektligjin e ri për mbrojtjen sociale.
Kurti tha se tashmë secila familje në Republikën tonë e cila ka të ardhura më të ulëta se 100 euro për anëtar për muaj, mund të qaset në e-Kosova dhe të aplikojë për t’u bërë pjesë e pilotimit të skemës së reformuar të asistencës sociale.
Ministri Murati, nga ana e tij, ofroi më shumë detaje rreth projektit duke e konsideruar fillimin e këtij pilotimi si ndryshim thelbësor që e trajton diskriminimin prezent në skemën aktuale. Përmes skemës së re sigurohet testimi i varfërisë përmes kalkulimit të të ardhurave në tre muajt e fundit dhe pilotimi bëhet për të gjitha familjet që janë diskriminuar në kuadër të projektligjit aktual.
Në konferencë u prezantua edhe mënyra e plotësimit të aplikacionit, hap pas hapi, e cila mund të bëhet online, drejtpërdrejtë nga njëri anëtar i familjes, apo përmes zyrtarit përkatës në Qendrën për Punë Sociale.
Linku për aplikim: https://ekosova.rks-gov.net/518