Një grabitje e organizuar që ngjan me skenar filmash ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Podujevë, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në një fabrikë dhe kanë arritur të largohen me mijëra euro, një armë me leje dhe kasafortën e sigurisë, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Ballofc, afër fabrikës “AMG”, derisa në objekt ndodhej vetëm roja.
Sipas dëshmisë së tij, rreth orës 03:30 kishte dëgjuar një krismë të fortë nga thyerja e xhamit dhe kishte dalë menjëherë jashtë për të parë çfarë po ndodhte, por hajnat kishin arritur të zhdukeshin në errësirë.
Sinjali mëson se pronari i fabrikës ndodhet jashtë shtetit, ndërsa pas kontaktit me familjarët dhe kontrollit të objektit është kuptuar se nga njëra prej dhomave ishte zhdukur një shumë prej rreth 5 mijë euro cash, një armë e shkurtë me leje si dhe sefi i sigurisë.
Burimet bëjnë të ditur se grabitësit dyshohet se kanë qenë të informuar mirë për lëvizjet dhe organizimin brenda fabrikës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe forenzika, ndërsa objekti posedon kamera sigurie që pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në zhvillim intensiv./Gazeta Sinjali

