Reagimi i plotë i tyre:
“MJAFT MË ME VISAR KASTRATIN – KY ËSHTË KRIM FUTBOLLI, JO ARBITRIM!
Nuk është më rastësi. Nuk është më gabim njerëzor. Është turp dhe krim sportiv ajo që po i ndodh vazhdimisht SC Gjilanit në fushën e blertë, dhe emri që vazhdon të lidhet me këto akte të turpshme është një – Visar Kastrati.
Kujtesë për të gjithë ata që e kanë harruar ose duan të harrojnë: Para dy vitesh, në finalen e Kupës së Kosovës, ishte pikërisht Visar Kastrati ai që me vendimet e tij skandaloze e ndikoi drejtpërdrejt rezultatin, duke na rrëmbyer një trofe të merituar. Dhe tani, në ndeshjen vendimtare kundër Malishevës, bashkë me Ilir Mehmetin, këtë padrejtësi e përsëritën në mënyrën më brutale të mundshme. Ky nuk është më arbitrim – është sabotim, është goditje e qëllimshme ndaj klubit tonë, është mision për të na eliminuar.
Si është e mundur që një gjyqtar me një histori kaq të errët dhe me kaq shumë skandale mbi supe, ende mban stemën e FIFA-s? A është kjo steme përfaqësuese e drejtësisë në futboll, apo është bërë strehë për individë që përfaqësojnë gjithçka përveç ndershmërisë?
Këta dy persona nuk janë të dëshirueshëm për ne më në Gjilan. Ne nuk do të heshtim më. Do të organizohemi me të gjithë dashamirët e futbollit të pastër dhe drejtësisë sportive. Do të trokasim në dyert e UEFA-s dhe FIFA-s, do të dërgojmë ankesa të strukturuara, prova, video e çdo material të nevojshëm që tregon me fakte se ky gjyqtar nuk ka vend as në ligën më të ulët, e jo më të përfaqësojë vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Visar Kastrati dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë thjesht gjyqtarë të dobët – ata janë pengmarrës të garës! Ata janë arsyeja pse shumë tifozë humbasin besimin në futbollin tonë. Dhe nëse institucionet vendore nuk kanë guxim të veprojnë, atëherë ne do ta kërkojmë të drejtën jashtë vendit.
Ky reagim ndodh pas lajmeve të mira të cilat i prisnim për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të futbollistit tonë Oltion Bilalli, ngjarje që kishte të gjithë vëmendjen dhe koncentrimin tonë!”