Qyteti i Gjilanit dukej i qetë të martën.
I qetë do të jetë edhe të dielën, kur është caktuar të zhvillohet derbi i madh i qytetit, Gjilani – Drita.
“Derbi i Anamoravës” që shquhet për tifozeri të jashtëzakonshme, këtë të diel do të bartet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, raporton KTV.
Është Policia e Kosovës për Rajonin e Gjilanit, që për arsye sigurie dhe për shkak të punimeve në stadium, nuk ka lejuar që kjo ndeshje të zhvillohet në Gjilan.
Organizimin e ndeshjes do ta bëjë ekipi i Gjilanit dhe për zyrtarët e tij, zhvendosja e derbit në qytetin e Prishtinës, nuk do të paraqesë ndonjë problem. Për këtë janë pajtuar edhe zyrtarët e Dritës.
Nga zyrtarët e Gjilanit është njoftuar se numri i policëve dhe sigurimit do të jetë goxha i madh.
Për derbin e qytetit të Gjilanit, që tashmë po vlerësohet pasuri e futbollit kosovar, të dyja tifozeritë, “Skifterat” dhe “Intelektualët” qysh tash kanë nisur përgatitjet.
Të dyja tifozeritë kanë premtuar se spektakli nuk do të mungojë edhe në tribunat e Prishtinës.
“Skifterat” dhe “Intelektualët” kanë paralajmëruar se në Prishtinë do të udhëtojnë në numër të madh dhe tribunat ku do të vendosen, do të jenë të mbushura, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë kur janë përballur dy ekipet gjilanase.
E, interesimi për ta përcjellë këtë derbi, nuk mungon as tash, ndonëse ka ankesa nga tifozët dhe qytetarët gjilanas.
E derisa përgatitjet janë bërë, vendimin për zhvillimin e kësaj ndeshjeje në Prishtinë e ka kundërshtuar kryetari Shpend Ahmeti.
Ai ka thënë se stadiumi është i Prishtinës, dhe të tjerët nuk mund të vendosin se kush zhvillon ndeshje këtu, duke paralajmëruar mundësinë që ta pengojë zhvillimin e ndeshjes në kryeqytet.
“Kërkojmë nga Ministria që sa më parë ta dorëzojë stadiumin, sipas marrëveshjes dhe po ashtu që çdo vendim për lokale e lojë, të bëhet me bazë ligjore, sepse përndryshe jemi të detyruar t’i lirojmë hapësirat me ligjet në fuqi. Ne kemi mirëkuptim, por çdo gjë duhet të bëhet me ligj dhe në përputhje me interesin publik”, ka shkruar Ahmeti.
Për qytetarët nuk do të jetë hera e parë që do të udhëtojnë drejt Prishtinës për ta përcjellë derbin e Gjilanit. Derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës është zhvilluar edhe në vitin 2001, por në kuadër të Kupës.