Udhëtimi nëpër kohë!
Sokakët me kalldrëm, terracat e ulta me lule plot, mbrëmjet e këndshme, pirja e çajit e kafes, hallva e bakllavat…, vizitat te njëri tjetri, respekti e solidariteti ndërnjerëzor, vlerat arsimore, shëndetësi efikase, kthimi nga arat me perendimin e diellit…, një jetë mahnitëse për atë kohë që vetëm mund të kujtohet e imagjinohet në kohën tonë! Jeta bëhej e plotë, e kuptimshme, me njerëzillëk…
Çifliku – lagja që i dha shumë Gjilanit në arsim, kulturë e shëndetësi…
Lagja që nxorri talentë të artit teatror, të arsimit, që dha shumë mjekë në zë, ndër ta internistë, pediatër, gjinekologë, farmacistin e njohur, femrën e parë me fakultet, themeluesin e enigmatikës, të teatrit, të shoqërive kulturore – artistike…
Lagja që dha internistin e njohur, drejtorin e Qendrës Medicinale në Gjilan, themeluesin e Shkollës së Mjekësisë, themeluesin e hemodializës në Gjilan, etj, etj.
Ah Gilan…, çdo shtëpi, secila familje është një kujtim, që bartet e flet deri në kohën tonë; secili ka lënë gjurmët që nuk shuhen kurrë…
Në vazhdim të pjesës së tretë lexoni rrëfimin e dr. Shevqet Mehmetit, i cili mrekullisht dhe me saktësi të plotë sjell në kohën tonë kujtime e gjurmë të punës, të aktivitetit, të jetës së gjilanasve tanë që jetuan dikur, dje, e disa ende janë gjallë, të cilët krijuan vlera, punuan, kontribuan në shumë fusha të jetës…
Ato sokaqet e shumta më përkujtojnë sokakun tim të lindjes. Nazmije Ahmetoviq, motra e Isa Gashit, ishte femra e parë në shkollë civile me 1933, nxënëse shembullore. Ndërsa hanëm Binazja e kishte mejtepin e vet.
Ti Çiflik mëhallë i ke dhënë mësueset e para të qytetit: Bahrije Rexhepi-Blloshmin, e Aqipajëve, Kadrije Rexhep të Muharrem agës; Mevlydja e Hasanxhikut i mësonte fëmijët në gjuhën shqipe dhe turke.
Çiflik mëhallë, ti arsimit në Gilan i ke dhënë mulla Feridin, i cili banonte në shtëpinë me trapazan në numrin 49, që më dha mësim në shkollën “Musa Zajmi” deri me 1963, pastaj mulla Haki Sherifin. Sebahate Mahmuti ishte nga Ohri, e martuar për farmacistin Mahmut efendiun, ishte e para femër me fakultet në Gilan, pastaj profesoreshë e orientalistikës në Prishtinë. Femrat e Gilanit, për shkak të veshjes, sjellejeve, fjalorit që e përdorte e quanin Sebahate hanëm!
Në gjirin tënd Çiflik mëhallë dualën mësimdhënësit: Hysen Selimi, Ali Shaban Salihu, Salih Salihu, Jakup Berisha, Mehmet Kurteshi, Rashit Gashi-Godanca, Fatime Hasani, Halim Isufi, Miziyene, Ismail, Xhelal Mustafa, Kenan Mahmuti. Faruk Mustafa -Yelmeni ishte mësuesi më i ri, 16 vjeç, Rashit Gashi ishte zëvendës-drejtor i Gjimnazit me 1972, kur une isha nxënës. Mehmet Kurteshi mësoi rininë me daktilografi, që disa u punësuan në administratën e qytetit. Fatime Hasani ofronte mësim në gjuhën shqipe dhe turke.
Ah Gilan, ah zaman, ah Çiflik mëhallë, ti ke dhënë edh eshumë emra të tjerë, si Tasim Sylejmanin që u shpëngul në Bursë; Hayrettin Gash na mbante gjeometri në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën turke. Osman Ramushi, derisa isha në vitin e dytë në Gjimnaz, pas orës së mësimit dhe temës mbi revolucionin e tokës u shpërngul në Bursë, me 1970. Me kujtohen fjalët e fundit të tij: “dada hënë sillet rreth dadës diell!”. E takova vjet, me 2017, me rastin e vizitës në Gilan. Gilan ti ke dhënë edhe profesorin Skënder Berisha, që kishte kryer disertacionin e doktoratës nga ekonomia në Beograd; ti na ofrove edhe plejadën e re të mësimdhënësve.
Kjo lagje ka dhënë shumë kuadro edhe për kulturë. Isa Gash themeloi teatrin e qytetit, shoqërinë kulturo-artistike “Drita” dhe “Yeni Hayat”. Isa Gashi ishte aktor dhe regjisor i dramës “Gjaku vlon” me 16 nëntor 1954. Ishte aktor edhe i dramës turke me 1955, kur vizitoi qytetet kosovare dhe Shkupin. Isa Gash, si ndërtimtar, ndërtoi rrugë, ndërtesa, ndërsa me 1962 renovoi urën e Masketarit. Aktor dhe regjisor nga kjo mëhallë është Muharrem Sylejmani, me skeqet e veta, me grimasat që mund t’i bënte vetem ai.
Si mund të harrohet Fetah Mehmeti dhe Ruzhdi Mehmeti. I pari ishte në teatrin e Shkupit, njeherit regjisor i romanit të Ismail Kadaresë “Gjeneralit te ushtrise se vdekur”, që prezantoi qytetin e Gjilanit në Trebinje.
Ah Gilan, ah zaman, ah Çiflik mëhallë! Si mund të paramendohet e kaluara e yte pa i përmendur doajenët e mjekësisë të Gilanit, dr. Zeçiriya Sait, që ishte drejtor gjeneral i Qendrës Medicinale, themelues i shkollës së mjekësisë dhe repartit të hemodializës. Pastaj, farmacistin e njohur të Kosovës dhe kryetarin e parë të Shoqatës të farmaceutëve të Kosovës, Mahmut Mahmutin, i cili me 1964 u shpërngul në Prishtinë. Kjo mëhallë ka dhënë dr. Jusuf Ismailin, stomatologun që ishte drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gilan me 1978. Dr. Nexhat Sherifi, dr. Maxhide Shaqiri, dr. Rukije Salihu, dr. Vjollca Kosumi, ëe të katërt gjinekologë; dr. Zijadin Hasani – pediatër dhe themelues i enigmatikës dhe i revistës “Horizonti”, dr. Mialim Kosumi – kirurg, dr. Sebahaten, dr.Myrveten , dr.Selami Kurteshi, dr. Vildane Sylejmani dhe Rita Berisha si neonatologe. Pastaj, dr. Bilgin Sait, që u shpërngul në Stamboll, nip i Ramush Golit.
Çdonjërin prej e tyre e kam njohur, me ta kam pasur kontakte pune e miqësie shoqërore. Disa shkuan duke lënë mbresa të thella në shpirtin tim, disa ende i takoj, bisedojmë, e pijmë ndonjë kafe, evokojmë e ndajmë mendime…
Ti Çiflik mëhallë kishe oborret me lule; trëndëfilat, xhurxhinat, karafilat…, që zbukuronin oborret e lagjës. Teracat dhe dritaret ishin të mbushura me tasa me lule, që lëshonin kokën teposhtë! Pamja e tyre mrekullonte kalimtarin, impresiononte dhe pasqyronte kulturën e mjedisit…. Shumica e dyerve ishin nga dërrasat, me reze (mjet për kyçje-mbyllje) që shërbente me mbyll dyert në orët e vonshme të mbrëmjes.
E kur ishte koha e Ramazanit, në këtë mëhallë ishte “shydet”, çajat, kafet, havlla, bakllavat me avullin dhe aromën e tyre nuhateshin larg, ishin përditshmëri. Në kohë të iftarit mysafirët nëpër Dar Sokak vizitonin shtëpitë – familjet e njëri-tjetrit. Shijonin ushqimet, kishte muhabete, solidaritet, respekt e jeta bëhej e plotë, e kuptimshme, me njerëzillak…
Faruk Mustafa-Yelmeni, i cili e vizitoi Gilanin pas 65 vitesh, erdhi nga Stambolli, me 2O17, kishte thënë: “Nuk e gjeta Gilanin që e kam lënë…!”
E tillë është jeta, kohët ikin e jeta vazhdon të lë gjurmë nëpër kohë, qoftë edhe në formë kujtimesh.
Fundi i pjesës së tretë.
/Autor: Dr. Shevqet Mehmeti/ E përgatiti (redaktoi) për shtyp: N.Buzuku/