Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Viti, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e kryetarit aktual të komunës, Sokol Haliti, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Kandidatura u zyrtarizua në një tubim me pjesëmarrjen e strukturave qendrore, atyre të degës së Vitisë, përfaqësuesve të Forumit të Gruas dhe të Rinisë, si dhe me mbështetjen e simpatizantëve dhe anëtarësisë së gjerë.
“Pas një procesi gjithpërfshirës dhe demokratik konsultimesh me kryetarët e nëndegëve, kryesinë e degës, si dhe në bashkërendim me udhëheqjen qendrore të LDK-së, kemi marrë një vendim të rëndësishëm që reflekton unitetin, pjekurinë dhe përgjegjësinë politike të strukturave tona,” u shpreh Hasan Aliu nga kryesia e degës së LDK-së në Viti.
Ai theksoi se “Kryesia e LDK-së në Viti, në harmoni të plotë me vullnetin e bazës dhe vizionin e udhëheqjes qendrore, ka vendosur që Sokol Haliti të jetë kandidati për kryetar të komunës në zgjedhjet lokale të këtij viti.”