“Askush nuk është kundër zhvillimit të qytetit. Edhe ne duam një qytet më modern, më të bukur dhe më funksional. Por zhvillimi nuk ndërtohet me vendime të njëanshme, pa transparencë dhe pa planifikim profesional. Projekti i bulevardit po shtyhet përpara pa një planifikim të detajuar, duke lënë shumë pikëpyetje për mënyrën e realizimit dhe ndikimin që do të ketë në jetën e qytetarëve”, thotë Sokol Haziri, kryetar i Aleancës, Dega në Gjilan.
Ai tha se ky projekt nuk është diskutuar në Kuvendin Komunal, duke anashkaluar institucionin që përfaqëson zërin e qytetarëve. Po ashtu, nuk është zhvilluar asnjë diskutim publik, për t’i dëgjuar banorët, bizneset dhe ekspertët që do të preken drejtpërdrejt.
Haziri thotë se më shqetësues është fakti se nuk është prezantuar asnjë studim fizibiliteti që dëshmon se ky është opsioni më i mirë për qytetin. Nuk dihet qartë sa do të kushtojë projekti, si do të financohet dhe cili do të jetë ndikimi i tij në buxhetin komunal.
i pari i Aleancës në Gjilan thotë tutje se po aq e rëndësishme është mungesa e një zgjidhjeje alternative për qarkullimin e automjeteve. Çfarë do të ndodhë me trafikun? Si do të funksionojnë shërbimet emergjente? Si do të kenë qasje qytetarët dhe bizneset gjatë dhe pas realizimit të projektit?
Sokol Haziri thotë edhe se bizneset lokale meritojnë përgjigje. Si do të garantohet funksionimi i tyre? Kush do ta mbajë përgjegjësinë nëse pësojnë dëme ekonomike për shkak të mungesës së planifikimit?
“Ne nuk jemi kundër bulevardit. Ne jemi kundër mënyrës së papërgjegjshme se si po tentohet të realizohet ky projekt. Kërkojmë që para çdo vendimi të prezantohet: një plan i detajuar i projektit; një studim i fizibilitetit; kostoja e plotë financiare dhe burimet e financimit; një plan për menaxhimin e trafikut dhe funksionimin e bizneseve; dhe mbi të gjitha, të zhvillohet debat në Kuvendin Komunal dhe konsultim i hapur me qytetarët”, ka thënë Sokol Haziri i Aleancës.
Ai thotë se Gjilani meriton projekte serioze, të planifikuara mirë dhe të ndërtuara mbi transparencë, ligjshmëri dhe interes publik – jo vendime të improvizuara që rrezikojnë të krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhje.

