Bylbyl Sokoli e ka pranuar se mosmarrëveshjet me disa lojtarët e kanë detyruar të heqë dorë nga posti i trajnerit të Gjilanit, vetëm tre muaj pasi e kishte marrë drejtimin e kuqebardhëve.
Pas një ecuri prej shtatë ndeshjeve radhazi pa fitore, përfshirë tri humbje, Gjilani i ndau rrugët me Sokolin të premten, duke e emëruar Ismet Munishin në vend të tij. Mbase dështimi më i madh i Sokolit ishte eliminimi i hershëm nga Kupa e Kosovës në kurriz të një humbjeje tronditëse 2:0 nga Istogu – klubi që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.
Duke folur për Gazetën Express dy ditë pasi u largimit, Sokoli tha se Gjilani ka shumë më shumë potencial seç tregojnë rezultatet që ai i kishte arritur së fundmi. Gjilani ka shumë me tepër potencial sesa rezultatet e arritura në javët e fundit”, tha Sokoli për Express.
62-vjeçari e kishte nisur periudhën e tij në Gjilan në mënyrën më të mirë të mundshme në dhjetor, duke e mundur Besën e pastaj duke e shkatërruar liderin e atëhershëm, Ballkanin, që për ironi kishte çuar në shkarkimin e Ismet Munishit, trajnerit i cili do ta zëvendësojë sot atë në Gjilan.
Por që prej atëherë, Sokoli u eliminua nga Kupa e pastaj dështoi të fitojë në gjashtë ndeshje në ligë prej së rifilloi sezoni në shkurt, duke i regjistruar katër barazime dhe dy humbje.
“Kulminacioni ishte në ndeshjen derbi të qytetit. Kisha dy zgjedhje ose t’i largoj disa lojtarë ose të largohem vetë. Vendosa këtë të dytën sepse ishte zgjedhje më e mirë për klubin.
I pyetur për të ardhmen, Sokoli ishte i shkurtër: “Do të varet prej shumë faktorëve”.
Gjilan, që si pasojë ka mbetur jashtë garës për titull, do të përballet me Trepçën ’89 sot në ndeshjen e parë të tij nën udhëheqjen e Munishit.