——————————————————————————
KTHIMI NË KOHË!
Gjilani dikur…
Kur i vdekuri përcillej për te varrezat, kortezhi mortor nderohej nga kalimtarët, dyqanxhinjtë…, të gjitë ndalonin…
KUJTIMET NGA RRUGA KRYESORE E QYTETIT (11.2.)
Në pjesën e dytë të rrëfimit 11, dr. Shevqeti na sjell kujtime e përjetime për kohën dhe gjurmët e saj: Për respektimin e të vdekurit, si reagonin qytetarët kur i vdekuri përcillej te varrezat, për soliterin e qytetit, për Radio Gjilanin, si pastroheshin rrugët e qytetit, etj, etj…, me fotogafi e fjalë.
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
/Rrëfimi i njëmbëdhjetë/
Ah Gilan! Sa shumë bukuri kishe me plepat freskues, me aromën e blinave, me kubëzat, me kulturën qytetare…
Ah Gilan! Bota e re nuk shkëlqen duke mbuluar gjurmët tua…!
11.2.
Përballë shkollës në anën tjetër të rrugës ishin plepat e gjatë, që fillonin nga përmendorja deri te fundi i parkut. Rruga kryesore dukej si një ale e vërtet e një bulevardi. Në mes plepave të gjatë qëndronin blinat. Andej trotuarit qëndronte parku, i vetmi gjelbërim në mes të qytetit. Me 1972 e shkatërruan konviktin, një kohë punonte ëmbëltorja e Qoses, prej vititit 1971 deri në 1973, pastaj edhe ate e larguan, duke e transferuar pas stacionit të autobusëve.
Filloi ndërtimi i soliterit, objektit më të lartë në qytet. Qytetarët dilnin me shikue ndërtimin. Me 1976 u vendosën banorët e parë. Në katin e fundit filloi punën Radio Gilani. Redaktor muzike ishte Selman Vokshi. Më vonë Radio Gilani emetonte program në katër gjuhë. Gjatë verës së vitit 1976, kur isha në pushim, gjatë studimeve, kam udhëhequr muzikën argëtuese dhe serioze. Në katin e parë të objektit ishte “Bankos”i që kishte drejtor Dragan Laziqin, ishte organizata “Pomoravlje”, shitorja e këpucëve “Borovo”, “Pomoravlja”, vetëshërbimi dhe Banka e Lubjanës ku drejtor ishte Popoviqi.
Ndërtesa (soliteri i qytetit) kishte lift (ashensor), fëmijët tërë ditën shëtishenin me lift. Ishte lifti i parë në qytet. Në katin nën Radio Gilan banonin dr. Mehmetaliu dhe dr. Andrea. Rruga kryesore çdo ditë spërkatej në orët e vonshme të mbrëmjes me kamionin e Ndërmarrjes Shoqërore “Higjiena”. Të shtuneve bëhej pastrimi gjeneral i rrugës kryesore me zorrë, që kishte shtypje të fuqishme uji. Ndonjë automobil që kalonte rastësisht kërkonte nga punëtorët të bëjnë pastrimin e automobilit. Ne, fëmijët, shikonim punëtorët me pantolona gome.
Të dielën, rruga kryesore e pastruar dukej si rrugë e re, blinat, plepat e gjate me kujtonin panoramën idilike.
Me rastin e ndonjë varrimi, kufoma bartej në krah, pastaj me automobil. Kufoma bartej në drejtim të varreve. Automobilat e pakët ndaleshin. Vozitësit dilnin nga automobili, respektonin të vdekurin. Tregtarët dhe mjeshtrit dilnin para dyqaneve, heqnin kapelat dhe respektonin te vdekurin, ashtu ndodhte edhe me njerëzit që pushonin në park.
Kultura qytetare tregonte vehten në momentin e duhur, nuk kishte rëndësi nacionaliteti, respektohhej njeriu.
KUJTIMET UNIVERSALE NË MASË TË MADHE VAREN NGA KULTURA QË I TAKON NJERIU.
Ah Gilan! Mbete pa rrugën me kubëza, pa blina, pa plepa, pa konviktin ku jetonin rastet sociale të nxënësve, pa shkollen “Vuk Karaxhiq”, pa çerdhen e fëmijëve, ku fëmijët dhe mbesat tona kanë formuar kujtime. T’i zhdukën ato, duke menduar që po ndërtojnë një botë të re, por nuk kuptuan se shkatërruan botën e kujtimeve dhe emocioneve.
E tani po formojnë një qytet nga ndërtesat e fasaduara ku nuk ka biografi!!!
Ah Gilan, ah zaman…! Kubëzat tua qëndrojnë heshtur nën asfalt, sikur kujtimet në çdo kënd! Veç kultura nuk dihet ku është arratisur!
/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/