Partitë politike kanë nisur të bëhen gati për zgjedhjet dhe forcat e tyre po maten me sondazhe. Në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania UBO Consulting ka disa ndryshime në përqindje. Sondazhi është realizuar gjatë pjesës së parë të muajit mars me 907 respondentë dhe me margjinë të gabimit plus-minus tre për qind.
Gjatë omnibusit të rregullt të UBO Consulting, qytetarët janë pyetur edhe në sondazhin se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel.
Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta online Reporteri.net, Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind. PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.
Sondazhi i kryer në kuadër të omnibusit të rregullt, është realizuar para urdhrit të Qeverisë për tokat e manastirit të Deçanit dhe para se PDK-ja ta shpallte Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.
Sipas kësaj matje të opinionit publik, AAK-së s’po i kryen punë as koalicioni me NISMA-n sepse vazhdojnë të jenë në rrezik të pragut, duke llogaritur margjinen e gabimit të Omnibusit të fundit të kryer gjatë muajit mars të këtij viti. Koalicioni i këtyre partive ka 6.9 për qind, sipas këtij sondazhi.
Partia me dy kryetarë, Lista “Guxo” vazhdon të jetë e pavërejtshme edhe në këtë sondazh, me 0.6 për qind.