Sipas një sondazhi të realizuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), qytetarët e Kosovës kanë shprehur një mbështetje masive për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO, ndërsa kanë shfaqur shqetësime në lidhje me rritjen e tensioneve me Serbinë.
Sondazhi, i cili u zhvillua nga 6 deri më 27 maj 2024, zbuloi se 92% e kosovarëve do të votonin për anëtarësimin në BE nëse sot do të mbahej një referendum, ndërsa 94% do të mbështesnin anëtarësimin në NATO.
Paul McCarthy, Drejtor i Evropës për IRI, tha se populli i Kosovës beson se lidhjet më të ngushta me Perëndimin do të sjellin përparim ekonomik dhe siguri kombëtare.
Mbështetje e fortë është shprehur gjithashtu për qeverisjen demokratike, me 85% të të anketuarve që besojnë se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes për vendin.
Sondazhi tregon se 92% e qytetarëve e konsiderojnë të rëndësishme përfshirjen e grave në vendimmarrjen politike, ndërsa 89% kërkojnë përfaqësimin e të rinjve.
Megjithatë, qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar për rritjen e tensioneve me Serbinë.
Sipas sondazhit, ka pasur një rritje prej 17 pikë përqindjeje në numrin e atyre që janë të shqetësuar se këto tensione mund të çojnë në një konflikt më të madh.
Kur u pyetën për problemet më të rëndësishme me të cilat përballet vendi, ekonomia dhe kostoja e jetesës u renditën si shqetësimi kryesor, ndërsa papunësia u identifikua si problemi i dytë më i rëndësishëm.
Pasiguria në shëndetësi, emigrimi, korrupsioni, varfëria dhe siguria publike u renditën më pas.
Të dhënat u mbledhën përmes intervistave ballë për ballë nga 1,200 qytetarë të Kosovës të moshës 18 vjeç e lart.
Sondazhi tregon një etje për pjesëmarrje aktive në zgjedhjet kombëtare dhe lokale të vitit 2025, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të grave dhe të rinjve në procesin politik./Telegrafi