Çmimi i derivateve në Kosovë pritet që mbrëmjen e së enjtes të rritet deri 1.80 cent.
Sipas pronarëve të kompanive të derivateve, nëse nuk ka stabilizim të tregut të naftës, çmimet pritet të shkojnë deri në 2 euro për litër.
Se çmimet e derivateve do të ngriten e pohon edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një prononcim për teve1.
Ai thotë se rritje të çmimit të naftës do të ketë gjatë gjithë kohës në vazhdim, por që “shpreson që të mos mbesim pa derivate për shkak të kësaj krize”.
“Rritja e çmimit është trend global. Shpresojmë që të mos mbesim pa derivate, për shkak të krizës botërore të rritjes së çmimit. Çmimi pritet të rritet çdo minutë”, tha Berjani.
Ndryshe, çmimet e naftës dhe të gazit janë në rritje, nga frika se kriza midis Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë ndërprerje apo çrregullime në furnizime.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, e cila është pikë ndërkombëtare e referimit, arriti të martën në 99.38 dollarë për fuçi – çfarë është niveli më i lartë në shtatë vjet.