Gjilani u bë nikoqiri i një ngjarjeje të rëndësishme kulturore mbarëkombëtare, teksa sonte u mbajt për herë të parë Festivali i Këngës Folklorike, një aktivitet unik që mblodhi artistë dhe këngëtarë solistë nga trevat shqiptare në një skenë të vetme, nën përcjelljen e orkestrës folklorike autentike gjilanase.
Festivali, i konceptuar si një folk festival me rrënjë tradicionale, u organizua nga OJQ Cello Duo, si një iniciativë e drejtoreshës Arzie Jusufi, në bashkëpunim të ngushtë me partnerin e saj profesional, Fazli Berisha, ideator i kësaj nisme për qytetin e Gjilanit, si dhe me udhëheqësin artistik, instrumentalistin Afrim Leka.
Festivali i Këngës Folklorike në Gjilan sonte solli një festë të kulturës shqiptare me standarde të reja artistike.
Qëllimi kryesor i festivalit ishte ruajtja dhe promovimi i këngës folklorike shqiptare në të gjitha format e saj tradicionale, krijimi i një platforme për artistët e rinj dhe solistët folklorikë duke i ofruar publikut një përvojë autentike artistike, si dhe vendosja e Gjilanit në hartën kulturore mbarëkombëtare me një aktivitet vjetor të qëndrueshëm./Radio Star/

