Ndërmjet 11 e 12 janarit 1984, Rexhep Mala 33 vjeç, pa u bërë tetë muaj që u lirua nga burgu i rëndë nëntëvjeçar, bashkë me shokun e tij, Nuhi Berisha, i cili asokohe ishte student 23 vjeç dhe pjesëmarrës i demonstratave 1981, ranë heroikisht në luftim me forcat serbe në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë.
Me prejardhje nga Komuna e Kamenicës, si student me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar, i cili do t’i shërbejë Lëvizjes Çlirimtare të Shqiptarëve si bërthamë e parë për pranverën studentore 1981.
Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha provuan të vihen në themelet e një organizimi të lëvizjes çlirimtare, që vepronte në vazhdimësi, kurse në vitin 1973 filluan veprimtarinë e tyre në botimin e gazetës “Zëri i Kosovës”.
Sot për veprën patriotike të Rexhep Malës me plot krenari flasin bashkëpunëtorët, bashkëluftëtarët, bashkëfshatarët dhe mbarë Kosova ndonëse emrin e Rexhep Malës e Nuhi Berishës e hasim në shumë rrugë, sheshe e vatra edukativo-arsimore. Kazerma e qytetit në Gjilan me krenari mban emrin e bërthamës së UÇK-së, Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha kishin vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm. Ata vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative.