Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).
Prandaj, sot shënohet 24-vjetori i kësaj kohe të rëndë në historinë e shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës më 1998-1999, rreth një milion u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërngulen në Shqipëri dhe Maqedoni.
Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganorë të Morinës hynë 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra.
Deri në orën 24.00 të atij 27 marsi të vitit 1999, në Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Dhe eksodi vazhdoi në ditët e tjera.
Prandaj 16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.
Obelisku “Eksodi 99” në Kukës/Shqipëri
Në këtë ditë shqiptarë të Kosovës marshojnë nga pikëkalimi i Morinës dhe i afrohen qytetit të Kukësit.
Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare.
Përndryshe, ditë më parë, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit u inaugurua monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”./RTK/