Sot zhvillohen ndeshjet e xhiros së 35-të të Superligës së Kosovës në futboll, me kryendeshjen derbi lokal mes Gjilanit dhe Dritës.
Kjo përballje mban gjithmonë një peshë të veçantë, por këtë herë vjen si e fundit për sezonin 2024/25. Gjilani synon tri pikët për të mbajtur gjallë shpresat minimale për një vend në garat evropiane, megjithëse rruga duket e vështirë.
Nga ana tjetër, Drita tashmë e ka siguruar titullin e kampionit dhe në këtë sfidë luan për prestigj dhe përballë rivalit lokal.
Të gjitha ndeshjet e javës së 35-të nisin nga ora 16:00. Derbi i Anamoravës do të luhet në stadiumin ndihmës me bar sintetik në Gjilan.