Lajme
Politiko
Kronika e Zeze
Gjykimi Special
Sport
10+
Lajme
Sot mbahet samiti i Komunitetit Politik, 47 liderë evropianë zbarkojnë në Tiranë
Gazeta10
16 Maj 2025 – 7:56
47 liderë evropianë pritet të jenë sot në Tiranë për të marrë pjesë në samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian. Kjo ditë do të jetë e ngjeshur me takime dypalëshe, ndërsa edhe të shtunën e 17 majit kryeministri Rama do të ketë një agjendë të ngarkuar me presidentin francez Macron.
Në Tiranë që dje kanë nisur të mbërrijnë një pjesë e liderëve që do të marrin pjesë në Samitin e 6-të të komunitetit Politik Evropian. Të premten e 16 majit, me mbajtjen e këtij takimi, Shqipëria do të kthehet në kryeqendrën e Evropës, me 47 udhëheqës nga BE, NATO e Britania.
Kryeministri Rama do ta nisë ditën me disa takime që do t’i paraprijnë samitit të Komunitetit politik Evropian. Parashikohet që ai të ketë bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, e më pas me homologun spanjoll Pedro Sanchez.
Samiti i nis punimet paradite i bashkëdrejtuar nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian Costa. Agjenda parashikon 3 tryeza të rrumbullakëta me fokus në rritjen e konkurrencës dhe sigurisë evropiane përmes inovacionit dhe qëndrueshmërisë. Po ashtu do të zhvillojnë punimet edhe dy seanca plenare.
Tema e takimit është “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”. Udhëheqësit pritet të diskutojnë sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane si dhe aftësinë për reagim ndaj kërcënimeve të ndryshme. Pjesë e samitit të 6-të Komunitetit Politik Evropian do të jetë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Punimet mbyllen me një konferencë për shtyp të kryeministrit Rama dhe homologes nga Danimarka, ku doi të mbahet samiti i radhës.
E shtuna e 17 majit, do të jetë sërish një ditë e ngarkuar me dy vizita të tjera zyrtare, atë të presidentes së Moldavisë, Maja Sandu dhe më pas atë të presidentit francez Emnanuel Macron. Ky i fundit, në vizitën e tij të dytë zyrtare në Tiranë, brenda një viti e gjysmë, do të shoqërohet këtë herë dhe nga bashkëshortja.
Rama dhe Macron do të kenë nga një fjalë hapëse në forumin ndërkombëtar ekonomik që mbahet në kryeqytet “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”. Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte do të inaugurojnë shkollën teknologjike “Ecole 42” në Tiranë dhe një tjetër shkollë të teknologjisë së informacionit në Korçë.