Testi i Maturës Shtetërore 2018, fillon sot e hënë, 28 maj 2018 në rajonin e Gjilanit dhe të Ferizajt. Në mënyrë që ky proces të shkojë sipas planifikimeve, ministri i Arsimit Shyqeri Bytyqi ka marrë disa vendime, sipas të cilave parashihen masa ndëshkuese për ata që nuk i përfillin rregullat.
Në bazë të këtyre vendimeve, askush nuk lejohet që të hyjë në klasë me celularë, përfshirë këtu edhe administratorët, ndërsa komisionerët janë personat kryesorë përgjegjës për qendrat e testimit, kurse nga një mbikëqyrës do të caktohet për pesë administratorë.
Përveç telefonave, nuk lejohet asnjë lloj materiali tjetër që mund të jetë burim i të dhënave lidhur më përmbajtjen e testit. Ndërsa, kushdo që nuk i respekton rregullat, fillimisht largohet nga procesi i administrimit (administruesit), apo nga testimi (nxënësit) dhe pastaj ndaj të njëjtëve do të merren masa adekuate konform rregullave dhe akteve ligjore administrative.
Për dallim nga vitet tjera, sivjet Testi i Maturës organizohet për 4 ditë me radhë(pjesa e parë )dhe 4 ditë pjesa e dytë, të ndara në rajone ku radha është përcaktuar me short publik, ndërsa pyetësori do të jetë i ndryshëm secilën ditë, por me ekuivalencë të njëjtë të vlerësimit.