Sot me fillim nga ora 10:00 në të gjitha qendrat e përcaktuara mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2018- afati i gushtit.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte deklaruar ditë më parë se janë bërë përgatitjet e duhura dhe ka kërkuar nga të gjithë të angazhuarit në këtë proces që të kryejnë detyrën me përgjegjësi, ashtu që çdo gjë të shkojë mbarë.
Ministri Bytyqi, kërkoi nga komisionerët që të minimizojnë lëshimet eventuale që kanë ndodhur në afatin e parë të provimit.
Ai theksoi nevojën e respektimit me rigorozitet të akteve ligjore, vendimit dhe udhëzimit administrativ lidhur me mbarëvajtjen e Testit të Maturës Shtetërore, duke shtuar se dëshiron që të kemi rezultate reale dhe të besueshme.
Ndryshe, nxënësve nuk do tu lejohet hyrja me telefon në Qendrën e Testimit, ndërsa prindërve u është bërë thirrje që të mos lejojnë fëmijët të marrin telefona, pasi do të përjashtohen nga testi edhe nëse nuk i përdorin.
Telefonat nuk do të lejohet që të përdoren edhe nga administratorët.
Ndryshe, për mbarëvajtjen e këtij testi, MAShT ka angazhuar dhe trajnuar 93 komisionerë .
Janë caktuar edhe 630 administrator dhe 105 mbikëqyrës.
Provimin e kanë paraqitur 7896 kandidatë , ndërsa fillon në ora 10 : 00 në të gjitha qendrat e paracaktuara.
Përndryshe, afati i dytë mbahet në dy pjesë, maturantët e mbetur për këtë afat të maturës, do t’i nënshtrohen provimit sot (pjesa e parë) dhe më 1 shtator (pjesa e dytë).