Sot në orën 14:00, Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshëm për rezolutën e paraqitur nga koalicioni PAN dhe PSD, sipas “kërkesës së 42 deputetëve për miratimin e Projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur se seanca e jashtëzakonshme që do të mbahet sot do të jetë për t’i treguar presidentit serb Aleksander Vuçiq se Kosova ka zotësi.
Ai pas mbledhjes së kryesisë tha se Kosova nuk i frikësohet dialogut.
Veseli, ka thënë se vendimmarrja nga kjo seancë do ta dërgojë Kosovën në procese të mëtutjeshme, duke përmendur njohjen nga Serbia dhe futjen në BE.
“Pas një vendimi historik dje, Kosova po ecë përpara drejt finalizimit drejt shtetësisë. Më konkretisht ka të bëjë me ndarjen e ofensivës së Vuçiqit dhe Serbisë për të reaguar se Kosova ka zotësi, legjitimitetin dhe ka mundësi t’i përgjigjet çdo sfide. Ne nuk i frikësohemi këtij dialogu, për vetë faktin se jemi shtet sovran, për vetë faktin se ne shkojmë për të na njohur Serbia dhe për të siguruar ulëse në Kombet e Bashkuara. Ky do të jetë qëndrimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Veseli, raporton EO.
Kryeparlamentari tha se kjo seancë është e plotfuqishme.
“Janë 42 nënshkrime të deputetëve që e bëjnë të plotfuqishme seancën”, përfundoi ai.