Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” nga data 15 Shtator deri më datën 15 Dhjetor 2018, realizohet në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës” që organizohet nga lëvizja globale “Let’s Do It World”, ku synohet që në rreth 200 shtete të botës të mobilizohen mbi 5% e popullsisë botërore që do të pastrojnë në një ditë.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në Kosovë ky aksion do të vazhdojë për tre muaj dhe do të zgjasë deri në eliminimin e të gjitha deponive ilegale, me qëllim krijimi të një impakti sa më të madh të vetëdijesimit përballë problemeve mjedisore në nivel global, transmeton Koha.net.
Pjesëmarrës në këtë aksion janë: përfaqësuesit e institucioneve shtetërore , përfaqësuesit e ministrive, Forca e Sigurisë së Kosovës(FSK), Policia e Kosovës, KFOR-i, organizatat joqeveritare (OJQ), shoqëria civile, kompanitë private dhe të gjitha institucionet publike përfshirë nxënësit e shkollave fillore, të mesme dhe të gjithë studentët në tërë territorin e Kosovës.
Në orën 10:00 – bëhet hapja zyrtare e aksionit të pastrimit në tërë Kosovën.
Aktivitetet do të zhvillohen si vijon:
08:30 – 09:30 – Mbledhja e vullnetarëve në sheshet ose qendrat kryesore të qyteteve. Nga këtu do të organizohet edhe shpërndarje e vullnetarëve në lokacionet e caktuara.
10:00 – Hapja zyrtare e aksionit të 15 Shtatorit te deponia.
Për lokacionet e përcaktuara nga komunat tjera mund të kontaktoni koordinatorët lokal.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në prag të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve, bashkësive fetare, subjekteve politike, FSK-së, KFOR-it, shoqërisë civile dhe mediave, t’i bashkëngjiten aksionit nacional.
Në një konferencë për media, ku morën pjesë anëtarët e task forcës, këshilltarja e Kryeministrit, Albena Reshitaj dhe drejtori i “Let’s Do It Kosova” Luan Hasanaj, u. d ministri Matoshi, ka prezantuar përgatitjet finale të Task Forcës qendrore dhe atyre komunale për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, duke treguar se qëllimi i këtij aksioni nacional është pastrimi i mbeturinave të grumbulluara tash e 19 vite si dhe vetëdijesimi për ta ruajtur ambientin që na rrethon.
“ Thirrja ime për të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet , bashkësitë fetare, subjektet politike, shoqërinë civile dhe mediet është se kudo që nesër jeni, në lagje, rreth punës, shkollave, angazhohuni për një mjedis të pastër sepse meritojmë edhe ne, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm një ambient të pastër sepse bëhet fjalë për shëndetin dhe jetët tona”, tha Matoshi.
Matoshi, gjatë kësaj konference ka treguar se mbi 30 komuna të Kosovës kanë marrë vendime për themelimin e task forcave komunale që shumica nga to udhëhiqen nga kryetarët e komunave.
“ Mbi 30 komuna të Kosovës kanë marrë vendim për themelimin e task forcës lokale. Këto komuna e kanë kaluar testin e parë për të qenë potencialisht komuna të shpërblyera nga MMPH-ja në grantin prej 1.2 milion euro që veç e kemi shpallur si ministri”, tregoi Matoshi.
Gjatë konferencës, ai tregoi se MMPH-ja është në përfundim të Udhëzimit Administrativ për Gjobat Mandatore dhe Strategjinë Nacionale për Menaxhimin e Mbeturinave.
Ai ka falënderuar gjithë anëtarët e Task Forcës që kanë kontribuar në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”.
Ndërsa drejtori i organizatës “Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, ka treguar se janë përfunduar të gjitha veprimet teknike dhe logjistike për fillimin e aksionit më 15 shtator.
Aksioni qendror “ Ta pastrojmë Kosovën” do të fillojë me heqjen e deponisë ilegale afër Kompanisë së Ujësjellësit “KRU Prishtina” për t’u përmbyllur te pika kufitare “Dheu i Bardhë”.