Për shkak të pandemisë COVID-19, gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor do të përfundojë sot (18 dhjetor). Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës , nxënësit do të pushojnë një muaj deri më 18 janar.
Nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ditë më parë kanë thënë se se planprogrami është realizuar në një masë të konsiderueshme, transmeton Telegrafi.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se në gjysmëvjetorin e dytë nuk do të ketë pushim pranveror, dhe se orët e humbura mësimore do të kompensohen.
“Është propozuar dhe palët mbase janë pajtuar që me fillim të gjysmëvjetorit të dytë, pushim pranveror të mos ketë, por të jetë proces mësimor, mbase do të zgjatet vitit shkollor për ndonjë ditë. SBASHK përkrah çdo angazhim në marrëveshje me ne pa u dëmtuar mësimdhënësit e Kosovës që të realizohet sa më mirë procesi mësimor në këtë vit shkollor”, ka deklaruar Jasharaj për Telegrafin.
Gjatë gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor nga coronavirusi janë infektuar një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve dhe i nxënësve. Shkollat të cilat kanë pasur raste të konfirmuara me coronavirus, kanë kaluar në mbajtjen e mësimit online.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 453 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 233.