Sot në mesnatë përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin çfarëdo veprimi në drejtim të konstituimit të Kuvendit. Kjo masë ishte vendosur pas dështimit të deputetëve për të përmbushur afatin 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Kushtetueses më 26 qershor.
Në pritje të skadimit të kësaj mase, vendi po pret një aktgjykim të ri të Gjykatës Kushtetuese. Ky aktgjykim do të jetë vendimtar për hapjen e rrugës drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij do ta respektojë vendimin e ri të Kushtetueses, pavarësisht përmbajtjes së tij.
“Do të na njoftojnë për atë që kanë menduar të ndodhë pas 30 ditëve. Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por ne kemi thënë se do ta respektojmë aktgjykimin. Është dëmtim i madh që Kosova nuk ka Kuvend,” ka thënë Kurti.
Në prag të vendimit të ri të Gjykatës Kushtetuese, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr kërkesën e saj të dorëzuar në korrik për të sqaruar situatën nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit. Ajo e arsyetoi këtë veprim me përzgjedhjen e gjyqtarit serb Radomir Llaban si raportues në këtë rast, duke e quajtur “të rrezikshëm për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit”.
Gjykata Kushtetuese e vendosi masën e përkohshme pasi tha se po shqyrton dy kërkesat e dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
PDK i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese në fillim të korrikut, duke kundërshtuar procedurat e ndjekura nga LVV për propozimin dhe votimin e Komisionit për votim të fshehtë, si dhe për ndërprerjen e seancës konstituive pas mosmiratimit të këtij komisioni.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nga ana tjetër, ka kërkuar interpretim kushtetues për vazhdimin e seancës pas datës 29 qershor, duke e cilësuar atë si në kundërshtim me aktgjykimin e 26 qershorit dhe Kushtetutën./Reporteri.net/