Kriza politike në Kuvendin e Kosovës po zgjatet, ndërsa përpjekjet për konstituimin e legjislaturës së re po dështojnë në mënyrë të vazhdueshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Sot, deputetët pritet të mblidhen në orën 11:00 për të vijuar me seancën e 27-të me radhë, me qëllim zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe themelimin e plotë të institucionit ligjvënës.
Seanca e fundit, e mbajtur të hënën, përfundoi pa rezultat, pasi nuk pati dakordim për përbërjen e Komisionit Ad-hoc, i cili është thelbësor për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin.
Nga 104 deputetë të pranishëm, vetëm 51 votuan për, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim – numra që nuk mjaftuan për miratim.
Kryesuesi Avni Dehari bëri thirrje të përsëritura që subjektet parlamentare të paraqesin emrat e propozuar për anëtarë të komisionit, por ato refuzuan të bashkëpunojnë, duke e thelluar më tej bllokadën institucionale.