Të shtunën do të vazhdon për herë të 42-të përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Seanca konstituive do të vazhdojë në orën 11:00.
Ndryshe, vazhdimi i seancës të së shtunës ka ardhur pasi ditë më parë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, zhvilloi takime të ndara me krerët e partive parlamentare shqiptare, në përpjekje për të zgjidhur krizën institucionale.
Presidentja takoi të mërkurën në kabinetin e saj, kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Osmani bëri thirrje që të arrihet “sa më shpejt” pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.
“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, u tha në njoftimin e Zyrës së Presidencës.