Nga ora 07:00 në Preshevë dhe Bujanoc, janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e nivelit lokal.
Nga ora 07:00 në Preshevë dhe Bujanoc, janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e nivelit lokal. Kjo është konfirmuar për Radio Televizionin e Kosovës nga Komisionet Komunale Zgjedhore në Preshevë dhe Bujanoc, ku nuk evidentohet ndonjë incident i çfarëdo lloj natyre.
Presheva ka rreth 43500 votues të cilët do të votojnë në 37 qendra të vendvotimit për 39 mandate. Në Bujanoc kanë të drejtë vote gjithsej 43046 votues të cilët do të votojnë në 59 vendvotime për 41 mandate.
Në të dy komunat vlen rregulli i njëjtë, i arritjes së shumicës prej 21 mandateve të këshilltarëve për të arritur zgjedhjen e kryetarit të komunës, i cili pra nuk zgjidhet me votën e drejtpërdrejt.
Në Preshevë kemi në garë 6 subjekte shqiptare dhe 1 të pakicës serbe. Në Bujanoc ndërkaq po garojnë 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.
Ky proporcion tregon se në Preshevë nuk ka rrezik të marrjes së pushtetit nga ana e subjekteve serbe, derisa Bujanoci e ka të domosdoshëm unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe daljen sa më të madhe të shqiptarëve në votime, në mënyrë që qyteti të ketë mundësi të udhëhiqet nga ana e shqiptarëve.
Për këtë qëllim, 3 nga 4 subjekte politike shqiptare: Partia për Veprim Demokratik që udhëhiqet nga Shaip Kamberi, Partia Demokratike që udhëhiqet nga Nagip Arifi dhe Lëvizja e Progresit Demokratik me kryetar Shqiprim Musliun, kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni parazgjedhor sipas të cilës, subjekti që merr më shumë mandate do të udhëheqë me komunën e Bujanocit dhe për këtë do të ketë garancë votat e këshilltarëve të subjekteve që marrin më pak mandate.
Kjo për të vazhduar ujdinë që ishte arritur për një koalicion shqiptar në vitin 2020 me ndihmën e ish-ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj. Por, në këtë koalicion parazgjedhor nuk është përfshirë subjekti i vetëm shqiptar “Alternativa për Ndryshim”, e cila në komunë të Bujanocit udhëhiqet nga Arbër Pajaziti.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një postim që ka bërë një ditë më parë ka folur për ndërhyrje të përfaqësuesve të organeve shtetërore serbe në vullnetin e qytetarëve, në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit.
Kamberi, ka ftuar drejtuesit e organeve të shtetit që të qëndrojnë larg ndërhyrjeve se cilën listë dhe cilin kandidat duhet ta votojnë.
Ndryshe, për situatën e rëndë dhe diskriminuese në Luginë të Preshevës, vetëm një ditë para zgjedhjeve kemi pasur një reagim të katër euro deputetëve të Parlamentit Evropian, të cilët kanë kërkuar respektim të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ashtu siç janë precizuar në Marrëveshjken e Konçulit më 2001.
Në këtë letër, euro deputetët: Viola von Carmon – Taubadel, Rainer Ëieland, Mixhael Gahler dhe Thijs Reuten i kujtojnë Serbisë se shqiptarët në Luginë të Preshevës ballafaqohen me forma të ndryshme të diskriminimit, siç është pasivizimi i adresave, qasja e kufizuar në arsim e shëndetësi dhe rikujtohet Serbia se mos adresimi i këtyre çështjeve rrezikon stabilitetin rajonal./RTK