Sot shënohet 13 shkurti – Dita Ndërkombëtare e Radios, e cila synon të kujtojë fuqinë e këtij mediumi në funksion të informimit dhe lirisë së shprehjes.
Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, pohon se, radio në Kosovë nuk është në pozicionin më të mirë. Megjithëkëtë, sipas tij, radio si medium nuk rrezikon të shuhet.
Dikur ishte medium me ndikim e audiencë të madhe, por, me shfaqjen e mediave të reja, gjërat paksa ndryshuan. Radio sot, nuk e ka fuqinë e dikurshme e as audiencën, megjithëkëtë, vazhdon të luaj rolin e saj dhe të jetë një medium i pëlqyer, kryesisht, për informim e argëtim.
Fahri Krasniqi nga Grashtica e Prishtinës, dëgjues i rregullt i radios, tregon se, megjithëse shfrytëzon mediat tjera, vazhdon të jetë i lidhur me radion, të cilën e dëgjoi qysh si fëmijë.
“Kur kam qenë i vogël, shpesh shkoja me gjyshin me i ruajt bagëtinë. E merrnim radion me bateri, me vete dhe dëgjonim Radio Prishtinën. Më pëlqejke shumë radiopërrallëza atëherë. Edhe tash e dëgjoj radion, sidomos kur jam në punëtori, sepse nuk më pengon në punë se njëkohësisht informohem e argëtohem me muzikë a programe të ndryshme”, thotë Krasniqi.
Profesori universitar i radiogazetarisë, Rrahman Paçarizi, thotë se Dita Ndërkombëtare e Radios, këtë medium, po e gjen në pozitë jo të mirë.
“Radioja, jo vetëm në Kosovë, por përgjithësisht, nuk është në pozicion të mirë, sepse nuk ka arritur të gjendet si duhet në raportet e reja të krijuara pas zhvillimeve teknologjike, të cilat kanë prodhuar medie shumë më atraktive. Kështu, radio sot është kthyer në një medium okazional, i cili dëgjohet në rrethanat kur nuk mund të konsumohen mediumet tjera”, tha ai.
Profesor Paçarizi, thotë se radio nuk është drejt shuarjes, por se është e nevojshme që drejtuesit e radiove të investojnë në përmbajtje mediale.
Pronarët e medies, menaxherët e medies, duhet që skemat e tyre programore t’i përshtatin me rrethanat e reja, duke përqendruar pjesën më aktive dhe më të fuqishme të programacionit, në kohën e të ashtuquajturave “orët e nxitimit”, kur njerëzit shkojnë në punë ose kthehen nga puna”, tha Paçarizi.
13 shkurti – Dita Ndërkombëtare e Radios, shënohet që nga viti 2011.
Në Kosovë, aktualisht, janë 86 radio të licencuara që operojnë. Sipas Komisionit të Pavarur për Media, gjatë 2019-ës, janë licencuar 5 radio të reja, ndërsa dy janë shuar./ Radio Kosova