Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Endrit Shala ka thënë se taksa do të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka dhënë afat deri më sot Qeverisë së Kosovës ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, me ç’rast ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj vendit. Por ministri i Tregtisë, Endrit Shala, i ka thënë “Zërit” se taksa nuk hiqet pavarësisht kërcënimeve nga shteti fqinj.
Sot skadon ultimatumi i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq drejtuar autoriteteve kosovare që ta heqin taksën 100 për qind, në të kundërtën ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj vendit. Pavarësisht kësaj zyrtarët e Qeverisë së Kosovës janë të vendosur të vazhdojnë me aplikimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe të atyre boshnjake.
Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Endrit Shala, i ka deklaruar kësaj gazete se taksa do të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Arsyet se pse e kemi vendosur taksën kanë qenë pikërisht pengesat që Serbia e Bosnjë e Hercegovina ia kanë shkaktuar ekonomisë kosovare. Për këtë ne kemi vendosur taksën dhe ajo duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa të eliminohen arsyet, të cilat e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës të marrë një masë të tillë, edhe arsyet ekonomiko-politike”, ka thënë Shala për këtë të përditshme.